Festat e fundvitit janë një moment reflektimi për të gjitha arritjet dhe humbjet e vitit që po lëmë pas. E te humbjet ose arritjet (varet nga këndvështrimi), mund të listohet edhe ndonjë ish. Jo rrallë herë ndodh që urat e komunikimit që janë prishur prej kohës të rindërtohen sërish. Kësaj here mund të vijë në formën e një urimi për një vit sa më të mbarë e të suksesshëm. mund të jetë një mesazh në seri, por edhe i personalizuar.
Çfarë do të thotë kjo?
Nuk do të thotë domosdoshmërisht që ka mbetur vetëm për fundvit. As që ka nevojë për të kaluar natën me dikë. Por ndoshta shpirti i festave i bën njerëzit të ndihen më të dashur dhe të shprehin ndjenjat. Mundet gjithashtu që të ndihen të vetmuar apo nostalgjikë.
Një studim i 2017-s i publikuar në “Mashable” shkruante se, festat i bëjnë njerëzit më të mërzitur ose të stresuar. Kjo gjë ndikon në arsyen pse njerëzit dërgojnë mesazhe. Trendi i quajtur “Marleying” nënkupton që ish-i shfaqet nga hiçi, duke u kujtuar me një mesazh urimi për festat.
Nga ana tjetër ky mesazh na detyron që t’u përgjigjemi. Të injorosh mesazhin e ish-it gjatë vitit është gjëja më e thjeshtë, por gjatë festave situata ndryshon.
“Washington Post” i quan të gjitha përzierjet e këtyre ndjenjave si një shenjë e sezonit të marrëdhënieve nostalgjike, të frymëzuar edhe nga fotot e çifteve në Instagram.
“Festat na vendosin në këtë ekstazë fantazie, ku mendojmë se çdo gjë është kaq e lumtur. Nëse nuk jemi të lumtur në aspektin e dashurisë për momentin, kalojmë këto ndjesi”, thonë seksologët.
Një arsye të saktë për dërgimin e këtyre mesazheve nuk ka, megjithatë është në dorën dhe gjykimin tuaj se ç’duhet të bëni me to.