INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ju kujtohet “Pipi Çorapëgjata” e TVSH? Ja çfarë bën ajo sot [FOTO]

Ju kujtohet “Pipi Çorapëgjata” e TVSH? Ja çfarë bën ajo sot [FOTO]

Publikuar më: 11:34 19-03-2017

Vajza çapkëne që dikur mbante mbërthyer fëmijët pas ekranit të vogël,ka treguar për vitet e kaluara në TVSH dhe angazhimet që ka tani në jetë. Bëhet fjalë për Fatjona Hysi-n, të cilën vitet e bukura të punës me fëmijët do ta ‘përndjekin’ gjatë. Ajo e ka kuptuar këtë nga vëmendja që merr në rrugë teksa njerëzit i shfaqin kaq shumë dashamirësi dhe vlerësim për figurën dikur aq të dashur. Janë pikërisht këto momentet kur ndjen edhe nostalgji për periudhën e artë në TVSH-së, ndoshta edhe keqardhje për shkëputjen.

Vajza çapkëne që dikur mbante mbërthyer fëmijët pas ekranit të vogël, është shndërruar sot në pedagogen dhe mamanë e Greisit e Martinës, që vitet nuk i kanë marrë asgjë. Po ai portret ku spikasin sytë e bukur, po ajo ëmbëlsi dhe oratori e dikurshme që të shtyjnë të mendosh “Po pse e la me kaq?”. Ka kaluar kohë, vërtet, e megjithatë, duket se kohë për një rikthim ka gjithmonë…

Fatjona, për shumë fëmijë të viteve ’90, ke qenë prezantuesja e tyre e preferuar dhe sot me të drejtë ata mund të pyesin, çfarë e solli shkëputjen tënde nga ekrani?

Duhet thënë se në momentin që unë u shkëputa, TVSH-ja nuk ofronte më gjëra të reja. Unë mbarova shkollën, fillova punë menjëherë dhe nuk kishte më diçka që të më mbante aty. Ndërkohë, kishin nisur të hapeshin televizionet private, por ato kërkonin fytyra të reja dhe emisionet e fëmijëve as që konceptoheshin prej tyre.

Cili ishte kontakti i parë me televizionin e dikurshëm të vetëm të shqiptarëve?

Kam qenë 6 vjeç kur kam shkelur për herë të parë në TVSH. Duke qenë se televizioni ishte afër me shkollën “Kosova”, ku unë mësoja, organizatorët vinin tek ne dhe zgjidhnin fëmijë për emisionet që në atë kohë ishin me regjistrim. Ai që ishte me fat, mësonte të thoshte diçka dhe kësisoj shfaqej më shpesh në ekran. Mua më zgjodhën, ndoshta edhe nga portreti, për të qëndruar në krah të drejtueseve si Ketrin Gjoçaj apo Pavlina Mani që ishte një fat shumë i madh për një fëmijë në klasë të parë. Që atëherë, figurën time e shihje gjithë kohën në ekran, është shprehur ajo për Konica.al

Ke një moment interesant që e kujton nga ajo kohë?

Diku nga klasa e katërt,  dikujt i vajti mendja të sillte Pipi Çorapegjatën si personazh që do ta bëja unë. Problemi ishte si t’i bënim gërshetat e famshëm të Pipit. Për këtë, grimierja fantastike e TVSH-së, Eleni Toroveci, ndërthuri njëri me tjetrin dy tela bakri dhe nisi t’i bënte gërshetat duke i kapur me telat që të rrinin ashtu përpjetë. Ja, kështu i zgjidhnim gjërat atëherë.

Cilat ishin vështirësitë dhe ku qëndronte e bukura e realizimit të punës në televizion?

Sigurisht që gjërat bëheshin me shumë pasion dhe përkushtim, por edhe me shumë sakrifica. E bukura ishte që nuk kishin modele, nuk kishte YouTube, nuk kishte copy-paste. Gjithçka ishte përvijim i një ideje origjinale. Maksimumi mund të merrnin ndonjë ide nga Italia 1 apo Canale 5, por ishin kaq larg me teknikën ata andej, sa nuk mund të realizohej veçse të merrje një shtysë të vogël. Sot ndodh e kundërta; ka shumë më shumë mundësi, por shumë më pak origjinalitet.

Ka diçka tjetër që të bezdis nga ekrani tani, parë në këndvështrimin e audiencës?

Le të themi se shumë figura televizive tani janë bërë të lodhshme. Edhe ata që duket sikur e kanë kapur ekranin me dhëmbë dhe nuk dinë ta lëshojnë, nuk e kuptojnë se televizioni të konsumon, duhen figura të reja. Ose e kuptojnë fare mirë, por janë aty për të marrë një rrogë dhe kaq.

Ku dallon një fëmijë i 20 viteve më parë me një fëmijë sot?

Një gjë që më shqetëson është banaliteti në atë që iu serviret. Për shembull, dublimet kanë shumë probleme. Gjuha e përdorur në to është thuajse e papranueshme. Ka nga ata që thonë se fëmijët e sotëm janë më të zgjuar. Unë nuk mendoj kështu. Edhe ne, nëse do të kishim pasur një iPad në dorë, do të kishim mësuar ta përdornim. Unë mendoj që ata janë thjesht më të stimuluar.

Kanë rënë vajzat në “grackën” e internetit, teknologjisë?

Vajzat janë, e vogla, Greis, 5 vjeçe, dhe e madhja Martina, 11 vjeç. Përpiqem shumë të mos ua ushqej, por nuk mund të them se nuk i përdorin mjetet e teknologjisë. Megjithatë kemi rënë dakord që ta përdorim për gjëra që deri diku edhe iu duhen. Ajo që nuk do t’ia lejoja kurrë vetes, është t’u hapja faqe fashion në Instagram siç bëjnë disa nëna me fëmijët e tyre.

Ti je tërhequr prej vitesh tashmë e megjithatë më the se e ndjen dhe të prek dashamirësia e njerëzve. Ke pasur ndonjë ofertë që të të bëjë ta mendosh rikthimin në ekran?

Jo një të tillë ku ta gjej veten dhe të them se ia vlen. Edhe në emisionet ku më kanë ftuar, shpesh i kam refuzuar dhe ka një arsye për këtë. Sot në televizion sheh rëndom që njerëzit dalin dhe flasin për çdo gjë dhe mua kjo nuk më pëlqen. Këtë unë nuk e bëj dot, por nuk e mohoj se ka gjëra që kur i shoh në ekran, them: “Këtë do ta bëja mirë!” dhe nuk do të isha kundër diçkaje që më propozohet dhe më shkon për shtat.

Çfarë për shembull?

Ndoshta diçka që do të kishte të bënte me psikologjinë.

Shumë gjëra janë të lidhura me psikologjinë, jeta jonë është e lidhur me psikologjinë…

E vërtetë. Unë këtë iu them edhe studentëve; që në botë, korporatat e mëdha, kanë psikologë për të llogaritur se si u nevojitet pushimi punonjësve, dy ditë njëra pas tjetrës apo dy ditë të shpërndara në javë, ose nëse janë më efiçentë me mënyrën e pagesës javore apo mujore dhe të gjitha në kuadrin e motivimit për të pasur më shumë rezultat.

Është e kuptueshme se puna që bën të jep kënaqësi…

Po bëhen 7 vjet që jap lëndën “Hyrje në Psikologji” si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Shkencave Sociale si dhe në një universitet privat. Kjo është puna që më pëlqen dhe në të cilën po investoj. Dua të mbaroj doktoraturën që të kem mundësi të angazhohem akoma dhe më tepër.

Marrëdhëniet me studentët si janë?

Ata më duan shumë. Nuk është se i kaloj lehtë në fakt, por nuk janë mërzitur asnjëherë me mua. Nuk ka pasur kurrë asnjë ankesë prej tyre që të shkojë për mua në Dekanat.

Një cilësi që ia njeh vetes?

Jam një manaxhuese shumë e mirë e kohës, funksionoj më mirë nën presion gjë që njihet edhe në Psikologji; pak stres është i nevojshëm  për të qenë i suksesshëm, në të kundërt bie në plogështi.

Article Logic
Execution time: 0.0034711360931396