INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ju tregoj gëzimet dhe brengat e nënës sime, Hajrie Rondo [FOTO]

Ju tregoj gëzimet dhe brengat e nënës sime, Hajrie Rondo [FOTO]

Publikuar më: 12:39 21-10-2017

Edhe pse kanë kaluar 40 ditë mungesë fizike lotët e saj për të nuk janë tharë. Me vete mban kudo sendet e saj më të shtrenjta; një unazë, një fotografi bardhezi të shkrepur tre dekada më parë së bashku, edhe portofolin e saj. Por, kaq nuk i mjafton. I mungon prezenca e saj; zëri, këshillat dhe përqafimet e ngrohta. Është një dashuri e pazëvendësueshme dhe e rrallë, që as ajo nuk gjen dot fjalë për ta përshkruar.

Bëhet fjalë për vajzën e aktores së mirënjohur Hajrie Rondo (1951-2017), Klea Konomi. Ajo rrëfen në një intervistë për gazetën “Shekulli” marrëdhënien e saj me Hajrie Rondon, si nënë, por jo vetëm, që nga fëmijëria deri në ditët e fundit të jetës së artistes. Na zbulon edhe shumë të pathëna më parë, për gruan kurajoze, që la shenjë me karakteret e saj, më shumë se 40 role në kinema dhe 120 në teatër, te publiku, por që nga institucionet tona nuk u vlerësua sa duhet.

Klea, të jesh vajza e një artisteje, si Hajrie Rondo, duhet të ketë qenë sa e bukur edhe përgjegjësi. Si e kujton sot periudhën e fëmijërisë?

Kur je aktore i mungon familjes, sidomos në atë kohë, që trupat e artistëve shkonin me turne në qytete të ndryshme. Në familjen tonë mami mungonte me muaj, prandaj të gjithë peshën e shtëpisë e mbanim unë dhe babi. Ndërsa, ajo kur vinte mundohej me çdo kusht të na jepte kënaqësinë, që na kishte munguar gjatë kohës që nuk ishte në shtëpi. Brenda mundësive mundohej të na sillte ndonjë dhuratë, të na qepte diçka të re, të na gatuante dhe të na lante. Ishte një ngrohtësi që kur nuk ishte ajo na mungonte, sepse edhe pse babi ishte aty, ngrohtësia e nënës nuk zëvendësohej.

123-1.png

Po gjatë provave a ju merrte me vete?

Ka qenë përherë e përkushtuar ndaj nesh, pavarësisht se ishte aktore. Mbaj mend se paradite edhe pasdite na merrte në prova me vete. Kemi qenë shumë të vegjël, por rrinim me orë të tëra pas kuintave të teatrit. Kur ne prisnim të mbaronin provat ajo ishte e preokupuar, me një sy nga roli dhe me një sy nga ne. Kishte raste që ne ishim edhe me temperaturë të lartë, ndërsa na merrte me vete dhe na linte me punonjëset e teatrit, si me gardërobisten. Kur mundej të shkëputej vinte me një frymë në kabinë për të na parë, rendte mbas nesh për të na dhënë kohën që na mungonte. Ishte shumë e dhimbsur dhe e përkushtuar për të gjithë të afërmit, jo vetëm për prindërit e saj. Përherë e merakosur për problemet e të gjithëve.

Çfarë ndryshoi në raportin tuaj, nënë dhe bijë gjatë gjimnazit?

Në gjimnaz u afrova më shumë me mamin. U rrita dhe nisa të kuptoj, se kohët ishin të vështira. Bëhet fjalë për vitet ’90. Mami më shoqëronte në gjimnaz, kur shkoja dhe kthehesha sa herë që mundej. Në këtë periudhë u lidhëm më shumë, sepse nisi të më konsideronte dhe si një motër të vogël, sepse motrat i kishte larg. Të gjitha problemet i ndanim bashkë.

Po dëshira për të marrë me aktrim, për të ecur në gjurmët e saj, si lindi?

Në fakt, unë doja që të konkurroja vet për aktrim, sepse kur rritesh në një ambient të tillë që fëmijë, dashje apo pa dashje, ky profesion të injektohet. Konkurrova edhe për juridik, por nuk e fitova. Megjithatë, Akademinë e Arteve e kisha vendosur, si opsion të dytë. Ime më paralajmëroi se aktrimi është një profesion shumë i vështirë, prandaj më kërkoi të mendohesha mirë. Por unë, si çdo gjë që bëj seriozisht, konkurrova dhe për regji teatri dhe për aktrim. I fitova të dyja, por bordi vendosi të më kalonte në degën e aktrimit.

777.jpg

Cilat kanë qenë preokupimet e saj më të mëdha për këtë profesion që zgjodhe?

Ajo përherë këmbëngulte të punoja fort, nuk donte që unë të përmendesha në Akademi, si vajza e dikujt. Mbaj mend se përherë më thoshte: “Ti i je futur këtij zanati, ky zanat nuk ka hile. Duhet që çdo gjë ta përballosh vet. Për këtë duhet të punosh shumë, pasi në skenë të dalin të palarat. Nëse mundet të të mbajë me hatër një pedagog, përballjes me publikun nuk ke çfarë i bën”.

Megjithatë, mendoj se gjatë studimeve në Tiranë keni njohur edhe një pjesë tjetër saj…

Po është e vërtetë! Në ambientet e Teatrit Kombëtar, por edhe nga bisedat, që bëja me pedagogë, të cilët kishin pasur mundësi të punonin me të, dëgjoja për të vetëm fjalë të shkëlqyera, si një artiste e përkushtuar në maksimum, aq sa edhe shpirtin i jepte punës. Ishte modeste dhe e thjeshtë. Nuk mburrej me atë që kishte, as me karakteret që ka lënë gjurmë te spektatori. Rolet e saj, asnjëherë nuk i trumbetoi me zë të lartë, por i reklamonte me modesti. Mbaj mend se time më, kur ecja me të, e ndalnin qindra njerëz, duke e thirrur në emrin e Tanës, roli i saj te“Përrallë nga e kaluara”. Ndërsa, ajo nuk përtonte dhe i përshëndeste të gjithë, unë kërkoja që të mos ta bënte “se lodhesha”. Ajo më thoshte: “Vazhdo para, se duhet t’i respektoj, se edhe ata më respektojnë”.

Për herë të parë, kur përfunduat Akademinë e Arteve, ju ngjiteni në skenë bashkë me të, jo më pas kuntave, por të luajtur rolin e parë së bashku, te “Tartufi”, si nënë e bij edhe këtu…

Unë mbarova Akademinë e Arteve, kur një regjisor italian vendosi “Tartufin” në Teatrin “Bylis” të Fierit. Ishte eksperienca e parë me të në skenë. Në role ishim nënë e bijë, në një zhanër që nuk e kisha mësuar në Akademi, por mami më ndihmoi shumë. Ndërsa, në rolin tjetër te “Salla e banjës” me regji të Inis Gjonit, isha shoqja e vajzës së saj. I kujtoj këto dy eksperienca me të, si eksperienca të shkëlqyera.

Nga rolet që ka interpretuar në kinema dhe teatër, çfarë veçon prej lojës së saj?

Ajo ishte shumë konkrete. Nuk e njihte teatralitetin. Një rresht të kishte për të interpretuar do ta bënte kaq jetësor edhe konkret, sa të qeshje në çdo moment. Nuk dinte të recitonte, por ishte e saktë dhe korrekte në atë që bënte. Rrallë gjen aktore të tilla. Ka shumë role në teatër edhe në kinema. Në kinema roli i saj më i arrirë është Tana, por ka edhe disa role të tjerë të arrirë, si te “Kush vdes në këmbë”, gruaja e Petro Nini Luarasit, te “Nëntori i dytë” dhe “Pesha e Kohës”. Në skenën e teatrit ka role të mrekullueshme te, si rolin e Fatbardhës, te një vepër e Dritëro Agollit, në të cilën ka interpretuar bashkë me Kadri Roshin, apo te pjesa për Avni Rustemin, në rolin e nënës. Janë vërtet shumë role.

hajrie-rondo-10.jpg

Pavarësisht sëmundjes, ajo vendos të rikthehet për publikun në skenë një vit para ndarjes nga jeta, tek “Tre dhëndurët” në Teatrin e Metropolit…

Mami, vjet, ndodhej në Tiranë tek unë, sepse po bënte kimioterapitë e dyta. Katër vitet e sëmundjes së saj ne nuk u ndamë. Ishin vite këto që na lidhën edhe më shumë, aq sa kam përjetuar sëmundjen e saj në çdo moment (përlotet). Në një moment i bie telefoni edhe personi, që i prezantohet ishte regjisorja Sonila Kapidani. I kërkoi një takim për t’i propozuar një rol. Mami i ktheu një përgjigje menjëherë, duke i thënë: “Dëgjo, jam në një proces të tillë, që nuk mundem!”. Sa mbylli telefonin i kërkova që ta takonte regjisoren, sepse do ta shoqëroja edhe unë. Kur u takua me drejtoreshën e Metropolit dhe regjisoren, ato i propozuan të merrte pjesë në komedinë “Tre dhëndurët”. U tha, se do të mendohej. Por, unë e pashë që ishte e prirur për të kthyer një përgjigje negative. Kur shkuam në shtëpi insistova sërish që ta bënte atë rol, sepse e dija që do ta ndihmonte shumë ai angazhim. I thashë se ishte një qind herë më mirë të pranonte atë rol, sesa kimioterapia që po ndiqte. Pas këtij motivimi pranoi. Provat nisën në shtator. Edhe pse shkonte bënte kimioterapi, ndiqte edhe provat intensive, pa u ankuar në asnjë moment. Me gjithë vështirësitë që i jepte kimio, tregoi se ishte një burrneshë, që u përshtat jo si një aktore e madhe në skenë, me teka dhe kapriço, por sikur ishte një aktore, që sapo kishte mbaruar shkollën. Me thjeshtësinë, përulësinë dhe modestinë e saj u bë shembull për të gjithë aktorët e rinj që ishin në këtë shfaqje.

Si ndikoi ky angazhim në skenë tek ajo?

E mbushte me optimizëm. Kishte energji dhe ndihej e çliruar. Harronte pasojat e kimios, mezi priste të vinte mëngjesi. Sëmundja u zhduk në ato dy-tre muaj. Filloi të mendonte, si një njeri i shëndetshëm. Çdo natë vinte në shtëpi me dy apo tre buqeta me lule, kjo për të ishte një rilindje.

Derisa sëmundja u rikthye…

Për 7-8 Marsin shkoi në Athinë, sepse e kishin ftuar. Mbaj mend se atë ditë 500 gra janë ngritur në këmbë dhe e kanë duartrokitur për 15 minuta. Ishte muaj maj, kur ajo vuri re se sëmundja u rikthye. Një mëngjes u ngit me shqetësime. Ne mundoheshim që t’ia mbanim të fshehtë, sepse nëse ne do t’i kishim thënë të vërtetën, nuk do ta përballonim dot shikimin e saj (përlotet). Ne bënim një teatër të shëmtuar para saj, që t’i jepnim shpresë edhe kurajë.

Mendon se ka pasur momente të vështira gjatë periudhës së saj profesionale?

Shumë! Nuk iu dha haku asnjëherë. Ka dhënë shpirtin në këtë profesion. Të punosh me një ndjeshmëri të tillë edhe mos të vlerësohesh nuk është e lehtë. Ajo ishte një aktore e shkëlqyer, por jetesa në Fier e privonte që të mos kishte përparësi në shumë role, sepse prioritet kishin aktorët, që jetonin në Tiranë. Kjo gjë e vriste shumë.

Po në raport me babanë, gjatë gjithë viteve, si të shfaqet?

Kanë qenë dy njerëz që kanë sakrifikuar shumë. Kanë kaluar vështirësi shumë të mëdha, sepse hapat e para, si çift në ato vite. Ata mbaruan shkollën dhe u vendosën në Fier pa përkrahje dhe pa mbështetje tjetër ekonomike. Çdo gjë e krijuan nga zeroja. Na rritën, edukuan dhe shkolluan me sakrifica shumë të madha. Mamasë për këtë profesion ikte me muaj të tërë ishin të mëdha, por babi po ashtu e ka përkrahur shumë, sepse mbante fëmijët dhe ndihmonte mamin në shtëpi. Një ndihmesë e jashtëzakonshme ndaj zanatit të saj, që as burrat e sotëm nuk e bëjnë. Ndërsa, gjatë viteve të fundit, unë edhe babi i kemi qëndruar pranë, sepse vëllai jetonte në Angli.

A u ndie e vlerësuar në fund?

Jo! Vetëm nga njerëzit e thjeshtë ndihej shumë e vlerësuar, ndërsa nga ana institucionale e përjetoi këtë pjesë.

l-1.png

E megjithatë, falë punës e njeh e gjithë Shqipëria…

Ky profesion të nxjerrë zbuluar para spektatorëve, sepse sado që të jesh e preferuara e regjisorëve dhe bën 20 role, sërish nuk ke siguri se mbetesh në mendjen e njerëzve me to. Ndërsa, ajo punoi shumë që e arriti këtë.

Përpos këtyre, ruani edhe shumë momente të lumtura me të…

Shumë…

A mund të më veçoni disa prej tyre?

Mund të veçoj ditën e dasmës sime. Unë isha kthyer nga Italia, ku kisha nisur një universitet tjetër dhe iu riktheva prapë Akademisë që e kisha lënë përgjysmë. Merresha tërë kohës me shkollën, celebrimin e kisha bërë, ndërsa ajo me vendosmëri donte që të vishesha me fustan të bardhë. Është marrë vet me të gjitha përgatitjet e dasmës sime. Unë kam qenë në Fier vetëm për të provuar fustanin e nusërisë dhe për drekën e dasmës. Më pas këmbënguli të bëja sa më shpejt fëmijë. Ishte e përkushtuar pamasë. Ruaj kujtime shumë të bukura dhe kur dilnim bashkë me vajzën time, në Himarë kur ne bënim plazhin, por edhe këtu. Janë shumë momente të tilla.

/Shekulli/

Article Logic
Execution time: 0.0043768882751465