Juventus tashmë nuk di të ndalet në Serie A. Bardhezinjtë e drejtuar nga Massimiliano Allegri fituan mbrëmjen e djeshme ndeshjen e 24-ët nga 25 takimet e fundit në Serie A , duke zgjatur akoma më tej rekordin botëror të fitoreve për numrin e sfidave të luajtura si më sipër. Mario Mandzukic ishte ai që i dha epërsinë bardhezinjve në pjesën e parë, teksa Fiorentina u përgjigj 9 minuta para fundit duke barazuar me Kalinic, por Juventus tregoi se di të jetë cinike kur i nevojitet dhe në goditjen e dytë në kuadrat Morata shënoi golin e dytë në minutën e 83′.
Ndeshja mund të kishte patur një tjetër fund, nëse Kalinic do të kishte realizuar nga pika e bardhë por dhe Buffon donte të merrte merita në këtë sukses dhe u tregua i saktë mes dy shtyllave, me Juventusin që fitoi për të nëntën ndeshje radhazi në kampionat.