Dhe pikërisht kur Milani mendoi se dolën me një pikë nga Torino, arbitri akordoi një penallti në minutën e 97-të dhe Dybala nuk mund të gabonte edhe një herë para Donnarummas.
Edhe pse mes polemikash, bardhezinjtë e dominuan takimin dhe ishte portieri i kuqezinjve që më pritjet e tij (51, 53, 61, 74) u duk sikur ndali Juventusin deri në çastin kur nga 11 metrat nuk mund të frenonte më Dybalan. Formacioni i Allegrit, e nisi më mirë ndeshjen dhe mori epërsinë e pritshme në të 30-tën e Benatia, që finalizoi një aksion shumë të bukur të vendasve.
Goli i pësuar zgjoi dhe Milanin që deri në ato momente ishte vënë në mbrojtje të rezultatit. 2 minuta para pushimit, Baça, bëri për dush të ftohtë bardhezinjtë duke dërguar topin pas shpatullave të Buffonit.
Në pjesën e dytë, Juventus ishte sërish skuadra që diktoi ritmin duke dominuar në lojë por u ndal nga një Donnaruma në një mbrëmje të shkëlqyer që në më shumë se një rast shpëtoi të tijtë. 30 sekonda mbi kohën shtesë, Juventus megjithatë gjeti mundësinë për të fituar, me anësorin e portës që sinjalizoi për 11-metësh pas një topi të prekur me dorë në zonë. Nga pika e bardhë Dybala nuk gaboi duke cuar Juventusin një hap më pranë titullit, ndërsa për Milanin Champions vazhdon të mbetet ende një mundësi dhe pse tani pak më e largët.