Najila Trindade ia ka arritur qëllimit nëse kishte dëshirë të bëhej e famshme për pak ditë, por synimi i madh i saj, fitimi i çështjes gjyqësore ndaj Neymar, po dështon.
Modelja braziliane e akuzon yllin e PSG-së për përdhunim, por po bën një figurë patetike, sepse jo vetëm që nuk po jep asnjë provë nga ato që kishte premtuar, por tashmë akuzon avokatin e saj Danilo García Andrade se ka organizuar vjedhjen e tabletit ku ishte e ruajtur videoja e përdhunimit në një hotel në Paris.
Andrade ishte avokati i dytë i Najilas, sepse i pari e braktisi, duke akuzuar bukuroshen braziliane se kishte ndryshuar versionin e ngjarjeve.
Tani edhe Andrade heq dorë nga çështja, duke zbuluar se Najila e akuzon për komplot, shkruan telesport. Sipas Trindades, kërkimi i tabletit nëpërmjet Apple, për të gjetur vendndodhjen, bëri që tableti të rezultonte se ndodhej në zyrën e avokatit të saj.
"Do doja shumë që ta kisha unë atë tablet, për të parë videon e famshme të përdhunimit që nuk e ka parë askush dhe nuk e di as unë nëse ekziston", tha Andrade, duke komunikuar dorëheqjen nga çështja.