Të paktën tani nuk do paguajë 5 euro kur të kthehet në Kukës.
Gjyqtarja e Gjykatës së Kukësit Alma Ahmeti i vlerësoi si të ligjshme arrestimet e 23 protestuesve për dhunën e ushtruar në sportelet e vendosura në Kalimash, ndërsa la në burg 11 prej tyre, dy në arrest shtëpie ndërsa 10 të tjerë detyrim paraqitje.
Një numër i madh forcash policore ishin të pranishme jashtë Gjykatës në Tiranë ku u dha vendimi, por sigurisht që nuk mund të mungonin familjarët e të pandehurve dhe shumë e shumë protestues të tjerë të cilët të gjithë njëzëri thërrisnin “turp, turp”, pas dhënies së vendimit.
Gazetari i njohur Urim Bajrami ka ngritur një pyetje shumë me vend pas dhënies së vendimit dhe kryesisht për ata që u liruan dhe iu dha masa detyrim paraqitje. Me anë të një statusi në Facebook, Bajrami improvizoi një situatë të një nga protestuesve të liruar, të cilin sipas tij duhet ta shoqëronte policia deri në shtëpi, por në fakt ndodhi krejt ndryshe.
Fatmirësisht ai s’ka qenë vetëm sepse kishte shumë mbështetës aty.
Ja shkrimi i plotë:
Një pyetje nga salla...
----------
I shkon policia në shtëpi. Në Kukës. Pas mesnate. E ndalon. E dërgon në gjykatë për vlerësim mase sigurie. Gjykata e liron. Ai del jashtë. Kontrollon xhepat. Asnjë kokërr leku. Hap sytë rreth e rrotull. Nuk njeh njeri. Psherëtin thellë, shumë thellë, dhe niset kuturu. Duke vrarë këmbët dhe mendjen...
Pyetja:
Në një rast të tillë, kush e ka detyrim të të kthejë sërish në shtëpi? Ata që të morën, policia a kushdo tjetër?