INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kabineti i ri / Si do të ndahen ministritë e Qeverisë së Kosovës

Kabineti i ri / Si do të ndahen ministritë e Qeverisë së Kosovës

Publikuar më: 09:07 08-09-2017

Qeveria e Kosovës pritet të prezantohet gjatë ditës së sotme, me Ramush Haradinajn që nuk ka dashur të humbasë më kohë për formimin institucioneve, që pas marrjes së mandatit për formimin e qeverisë nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ky është mandati i parë që jepet për formimin e Qeverisë së Kosovës që pas zgjedhjeve të 21 qershorit, të cilat nxorën si forcë të parë koalicionin PAN me të nominuar për Kryeministër Haradinajn e AAK-së.
Por, edhe pse i pari, ky koalicion kishte pak diferencë në deputetë me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në këto zgjedhje rezultoi forcë e dytë, dhe me koalicionin LAA. Ndarja më tresh e votave nuk lejoi për kaq muaj që një nga palët të kishte mundësinë për shumicën e duhur, me përplasje të vazhdueshme mes tyre.
Ishte vendimi i Behgjet Pacollit, kreut të AKR-së, i cili u shkëput nga koalicioni me LDK-në dhe u bashkua me PSK-në, AAK-në dhe Nismën. Ata kanë rënë dakord me formulën qeverisëse, me zotimin e partive të tjera që do të bëjnë të mundur të realizohet ëndrra e kahershme e Pacollit për postin e Presidentit në mandatin e ardhshëm qeverisës.
Ndarja e ministrive ka ndryshuar nga formula e parë e dakordimit të katër partive të mëdha: PDK-AAK-Nisma-AKR, me futjen e Listës Serbe në formatin qeverisës. Me gjithë bashkimin me AKR, koalicioni PAN nuk mund të arrinte votat pa minoritetet dhe përfshirja e serbëve ishte e paevitueshme.
Nënkryetari i PDK-së, Memli Kransniqi, ka treguar se PDK-ja do të ketë 6 ministri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë dy ministri, AKR-ja do të mbetet me katër ministri, NISMA do të udhëheqë me 3 ministri, Lista Serbe do të ketë tri ministri, ndërsa komunitetet joserbe do të udhëheqin dy ministri.
Sipas Krasniqit, PDK-ja do të udhëheqë Ministrinë e Shëndetësisë, Financave, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, të Drejtë- sisë, Integrimeve Europiane dhe një ministri tjetër, të cilën nuk e ka përmendur. Institucionet e Kosovës nisën të rikthehen në funksion gjatë ditës së enjte, kur më në fund Kuvendi i Kosovës zgjodhi të propozuarin e PDK-së, Kadri Veselin, si kryetar Kuvendi.
Veseli do të jetë kështu kryeparlamentar për herë të dytë, pasi mori mbështetjen e 62 deputetëve. Pas votimit pro të zgjedhjes së kryeparlamentarit të Kuvendit Kadri Veseli, u propozuan dhe u votuan edhe nënkryetarët e Kuvendit me 113 vota. Nënkryetar i Kuvendit nga koalicioni PAN është Xhavit Haliti; nga Vetëvendosje është Aida Dërguti dhe nga koalicioni LDK-Alternativa është Kujtim Shala.
Kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, ka hedhur në votim nënkryetarët e pakicave. Me 61 vota pro, 41 abstenime dhe asnjë kundër janë votuar nënkryetarët e minoriteteve. Mufera Shinik nga komunitetet joshumicë dhe Slavko Simiq nga Lista Serbe u zgjodhën në këto poste.
Me votimin e tyre përfundoi konstituimi i Kuvendit. Mikullovci i liroi vendin Kadri Veselit dhe në këtë çast, deputetët e Vetëvendosjes dhe LDK-së u larguan nga salla, duke dhënë sërish shenjat për një opozitë të vështirë.

Article Logic
Execution time: 0.0038800239562988