Qytetet e mëdha të Afganistanit ende gjenden nën shënjestrën e sulmeve.
Vetëm pak ditë nga sulmi me eksploziv ndaj organizatës “Save the Children” në Jalalabad dhe pak orë pasi u sulmua me bombë autoambulanca në Kabul, në orët e para të ditës së sotme, disa persona të armatosur kanë sulmuar këtë herë “Akademinë Ushtarake” në kryeqytet duke shkaktuar disa viktima.
Sulmi ka nisur me një shpërthim bombe dhe më pas është pasuar nga një seri të shtënash të disa personave të maskuar drejt “Akademisë Ushtarake”.
Aktualisht nuk ka një bilancë zyrtar të viktimave por flitet për disa të plagosur dhe të vdekur.
Sipas një rindërtimi të parë të ngjarjes nga mediat lokale, “Marshal Fahim National Defense University”, Akademia Ushtarake ku stërviten ushtarakët e ardhshëm afganë, në ato momente ishte nën mbrojtjen e një grupi të vogël të përbërë nga 4 ose 5 persona, dhe 2 prej tyre kanë humbur jetën ndërsa një i tretë është plagosur rëndë.
Sipas zëdhënësit të ministrisë së Mbrojtjes, Dawlat Waziri, objektivi i terroristëve ishte specifikisht Divizioni 111/a i ushtrisë, garnizoni përkrah Universitetit të Kabulit.