Ergys Kaçe, mesfushori i Kombëtares shqiptare, ka arritur marrëveshje me kampionin e Shqipërisë, Skënderbeun. Presidenti Ardian Takaj ka siguruar shërbimet e mesfushorit korçar të kombëtares, Ergys Kaçe, i cili do të huazohet për 6 muaj nga PAOK-u i Selanikut. Fantazisti shtatshkurtër nuk e mbylli me sukses aventurën çeke, me Viktoria Plzen, sepse pati probleme me trajnerin dhe u kthye para kohe te klubi mëmë. Duke përfituar nga situata, teksa selanikasit nuk i ofrojnë dot mundësinë e aktivizimit si titullar, Kaçe ka ndjekur rrugën e Kristi Vangjelit, duke iu bashkuar skuadrës së vendlindjes.
Më 2 janar, ai pritet të prezantohet si futbollist i Skënderbeut. Aftësitë organizative dhe ndërtuese të këtij futbollisti njihen, janë të spikatura edhe goditjet standarte, ndaj Ergys Kaçe duket se do të vendosë rregull në lojën e kampionëve, duke u pozicionuar si organizator, aty ku ka mbetur një boshllëk jo i vogël pas largimit të ish-kapitenit, Bledi Shkëmbi. Ndoshta aktivizimi me juglindorët do të bëjë të mundur edhe rikthimin në kombëtare të 23-vjeçarit, ku ka munguar në kualifikueset e fundit.