INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kadare i prekur nga Nishani. Nderohet me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Kadare i prekur nga Nishani. Nderohet me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Publikuar më: 11:00 13-05-2016

Shkrimtari Ismail Kadare ka marrë një vlerësim të veçantë nga Presidenti, Bujar Nishani në konferencën solemne “Shekulli i Kadaresë”. Ky i fundit e ka nderuar duke i dhënë një dekoratë të veçantë, atë të Flamurit Kombëtar. Kadare e ka pritur me shumë emocion këtë dekoratë dhe tha se ky vlerësim e ka prekur shumë.


Kadare tha:  “Unë jam i prekur nga ky nderim, që për fat të mirë në vendin tonë që ka shpesh ka çoroditje, turbullime, po është një konstante nderimi për kulturën dhe njerëzit që e krijojnë këtë. Mua ky nderim më pëlqen jo për t’u hequr si moralizant, por se për ne shkrimtarët nuk ka nderim personal dhe mua më pëlqen që shefi i shtetit merr pjesë në një festë kulturore. Unë ju falenderoj gjithashtu dhe ju prisni ndoshta ndonjë gjë të madhe, se ky njeri që ka bërë gjithë këto vepra, kushedi ç’do të na thotë. Unë ju falenderoj të gjithë në këtë sallë, kolegët shkrimtarë, kolegët studiusë, përkthyesit nga gjuha shqipe dhe që janë mëma e gjithçkaje. Këta e kanë vënë në dukje se ndihen pakëz të harruar por juve mund t’ju harrojë gjithë bota,  po ne autorët nuk ju harrojmë kurrë. Sikur të mos mjaftonte që jeni torturuar me gjuhën tonë të ndërlikuar e shumë të vlefshme për artin, po keni bërë dhe qindra klm për të ardhur këtu dhe shpresoj të hyjë kjo në atë kujtesën tonë të mirë pozitive që  ndonjëherë mungon në jetën tone.”

Ndërsa Presidentit, Nishani theksoi se veprat e Kadaresë nuk i përkasin vetëm kombit tonë dhe ato janë vlera kulturore të botës.

Nishani tha: “Të flasësh për Kadarenë duket e lehtë dhe e vështirë. E lehtë sepse për të ke pambarimisht për të thënë dhe për të kanë folur zërat më të shquar të Evropës, si njerin prej gjenive më të ndritur të letrave në çdo kohë. Unë jam një prej lexuesve të Ismail Kadaresë, i çdo gjëje që ai ka shkruar. Jam shqiptar i dy periudhave dhe mund të them se çfarë ka qënë dhe çfarë do të jetë për ne vepra e tij. Në një sistem tiranik, Kadare ruajti dhuntinë e shkrimit. Vepra e tij ishte univers lirie dhe hapësirë e pamasë krijuese. Ndihej në çdo rresht, desidenca estetike dhe politike që kulmoi me Pallatin e Ëndrrave. Çdonjeri prej jush bie në një mendje me mua, se Kadare me intuitë shekspiriane përkufizoi ndodhitë shqiptare përmes përkthimeve në të gjitha gjuhët e botës.”

Article Logic
Execution time: 0.0037040710449219