INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kadare i shqetësuar për rishikimin e kufirit Kosovë-Serbi. Ja ç’thotë...

Kadare i shqetësuar për rishikimin e kufirit Kosovë-Serbi. Ja ç’thotë...

Publikuar më: 08:30 13-09-2018

Shkrimtari Ismail Kadare ka shprehur qëndrimin e tij për çështjen që ka hapur shumë debat së fundmi për ndryshimin e kufijve Kosovë-Serbi. Ai është kundër rishikimit të kufijve me argumentin se një lëvizje e tillë do të cënonte stabilitetin në Ballkan. 

“Gjithsesi duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit të Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Bisedimet nuk duhen në dëm të sovranitetit të Kosovës! Askush s’ka të drejtë, Serbia hiç e hiç, të cënoj integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Nisur nga historia, vuajtjet e popullit të Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Europës. Çdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë,” tha Kadare për Presheva jonë.
Ai ka komentuar dhe për Luginën e Preshevës, ku thekson se, situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, sipas tij perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar.
“Po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…” – vijon shkrimtari.
Kadare ka folur dhe për vizitën e Kreut të Shtetit Serb në Kosovë. “Ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”, përfundon Kadare.

Article Logic
Execution time: 0.0034520626068115