INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
KafeIN/Ekskluzive, Banesa tek “Petro Nini”, Senida Dervishi: Opinioni publik na mbrojti më shumë se shteti [VIDEO]

KafeIN/Ekskluzive, Banesa tek “Petro Nini”, Senida Dervishi: Opinioni publik na mbrojti më shumë se shteti [VIDEO]

Publikuar më: 08:52 13-03-2019

Përplasja me përmbarimin dhe familjarët e pronarit të truallit të një banese dhe familjeve që banojnë aty prej vitit 1993, përballë gjimnazit “Petro Ninit”, ka shkaktuar reagime tek opinioni publik i cili ndoqi përmes mediave hap pas hapi të gjithë konfliktin ku u përfshinë dhe efektivë të policisë së shtetit.
Pamjet që qarkulluan në internet bënë bujë e mes tyre dhe fotot e një gruaje shtatzënë e cila mbrohej nga vajza e vogël që të mos merrej nga policia.
Senida Dervishi, është nëna e vogëlushes, 5-muajshe shtatzënë, dhe nuse e një prej familjeve që jetojnë në shtëpinë më të famshme sot në Shqipëri, ku gati cdo muaj përjetojnë momente ankthi e stresi si pasojë e këtij konflikti.
Ajo ishte e ftuar në emisionin “KafeIN” dhe gjatë një interviste ekskluzive me moderatorin Flavio Qarri, tregoi se presioni publik ishte ai që i mbështeti më shumë se shteti, në këtë rast policia.
Si pasojë e reagimit shoqëror në rrjetet sociale, edhe kunata e saj Blerta Dervishi, (motra e burrit) u rikthye në detyrë në forcat e policisë “Shqiponja”,  pasi u pezullua nga eprorët për shkak se nuk lejoi kolegët e saj të kryenin detyrën.
“Ne kemi pasur mbështetjen e qytetarëve, falë atyre ne kemi marrë forcë për të mbrojtur pronën tonë. Me pronarin kemi një marrëveshje për të zgjidhur konfliktin. Marrëveshje që e ka hartuar ai vetë dhe ne e kemi firmosur. Ai duhet vetëm ta zbatojë atë. Ne nuk kërkojmë as dyqane asgjë, ne duam një shtëpi ku të jetojmë të qetë e pa stress”, tha banorja e shtëpisë për të cilën dy familjet Dervishi e Llapaj u konfliktuan me të zotët e tokës, ditën e hënë, më 11 mars.
Gruaja ka treguar se ky konflikt ka pasur pasoja tek fëmijët e vegjël të cilët po përjetojnë ankth.
“Vajza e vogël nuk fle dot, mban grushtet shtrënguar, ne duam drejtësi, asgjë tjetër. Shteti duhet të na mbrojë”, tha Senida.
Në fund të intervistës ajo i ka kërkuar qeverisë të ndërhyjë për zgjidhjen e konfliktit, njësoj si në rastin e truallit të selisë së Partisë Social-demokrate të Skënder Gjinushit.
“Ata që u përplasën me ne ishin familjarë të pronarit. Policia nuk kishte fuqi të na mbronte. Ata janë djem nënash, marrin një pagë, madje qanë për ne, por na thonin nën zë se s’kishin asnjë mundësi të na mbronin”, tha Senida.

 

Article Logic
Execution time: 0.0025949478149414