INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

KafeIN/Blerina Ago: ''Be taken by Albania'', një ftesë që të huajt nuk e refuzojnë dot[VIDEO]

Publikuar më: 11:25 20-03-2019

Jehona e fushatës së promovimit të turizmit shqiptar duket se ka kaluar përtej kufijve, derisa mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje. Për disa njerëz është i papërshtatshëm, ndërsa të tjerë janë të bindur se është gjenial.

Kështu mendon ekspertja e turizmit dhe autorja e fushatës "Be taken by Albania", Blerina Ago.

E ftuar në emisionin "KafeIN", gjatë një interviste me moderatorin Flavio Qarri, Ago tha se kur u hartua kjo fushatë ishin menduar që do të kishte reagime pro e kundër.

Por, sipas saj një gjë nuk ndodh, refuzimi i ftesës nga turistët e huaj.

"E kam parë etjen që kanë të huajt për të vizituar dhe shijuar bukuritë e Shqipërisë.

Ka nga ata që më thonë: nuk e besoja se do të shihja natyrë kaq të bukur, një copëz parajse të fshehur në zemër të Europës dhe do të takoja njerëz kaq bujarë. Për këtë të fundit kanë të drejtë, pasi sapo kanë ardhur këtu, janë rrëmbyer", tha ekspertja Blerina Ago.

Autorja e fushatës së promovimit të turizmit, ka theksuar gjatë intervistës se mesazhi i drejtohet së pari turistëve që kërkojnë të njohin vende të pashkelura në vendin tonë, turistë që nuk i duan radhët e gjata por kërkojnë të shijojnë oazet e mrekullueshme për t'u relaksuar e shijuar pushimet.

Siç është një perëndim dielli në Lagunën e Nartës, apo kanionet e Lëngaricës.

Gjithashtu, ekspertja e turizmit nënvizoi rëndësinë e promovimit të turizmit dhe nga vetë emigrantët shqiptarë kudo në botë, ku përmes shpërndarjes së video-mesazhit "Be taken by Albania" mund t'ja bëjnë të njohur bukuritë shqiptare miqve të tyre të huaj. 

Ago tha se turizmi i qëndrueshëm është zgjidhja e shumë problemeve ekonomike me të cilët përballen banorët e këtyre zonave.

"Unë e di se nëse ka një rrugë të sigurtë ku mund të zhvillohet Shqipëria është turizmi i qëndrueshëm, duke ndryshuar jetën e banorëve, duke hapur vende të reja pune, më shumë mirëpunësim për të rinjtë dhe të ardhura për komunitetin e sidomos për vajzat dhe gratë",tha për "kafeIN", Blerina Ago.



Article Logic
Execution time: 0.0039818286895752