Gazetarja Erjona Rusi e ftuar në emisionin “KafeIN”, ka treguar detaje nga projekti i saj më i ri, revista online “Bitch Magazine”.
Rusi tha se portali i ri ka titull provokativ, por qëllimi ka qenë për të ironizuar “nofkën” që u vihet femrave nga ana e meshkujve.
“Portali do të përmbajë histori të femrave kudo ku ndodhen. Histori paragjykimi, dhune apo diskriminimi që u bëhet femrave në familje e shoqëri”, tha Erjona.
Rusi tha se mbështet lëvizjen feministe brenda vendit dhe në Kosovë, por nga ana tjetër ajo këshillon sidomos vajzat e reja, që të shkollohen, të rrisin pavarësinë ekonomike dhe të bëhen të zonja në jetë.
Ndërsa në lidhje me rolin e grave shqiptare sot në politikë, gazetarja Erjona Rusi tha se përqindja e tyre është rritur, e megjithatë nuk ia kanë dalë t’i bëjnë ballë paragjykimit të meshkujve.
“Burrat e kanë pak më të lehtë. Pavarësisht skandaleve që mund të kenë, ata i mbijetojnë presionit të opinionit shoqëror. Ndryshe ndodh me një grua. Shihini si trajtohen në debatet televizive, ato sulmohen më shumë për veshjet apo jetën e tyre private sesa për jetën publike ”, tha Rusi.
Ndiqni intervistën e plotë në videon më poshtë