Deputeti më i ri në kuvendin e Shqipërisë dalë nga listat e PD për qarkun e Dibrës, Halil Jakimi, e ka cilësuar lojë luftash, krizën institucionale qeveri-presidencë.
Ndonëse Jakimi ka votuar rezolutën kundër dekretit të presidentit për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, deputeti demokrat tha se këto votime janë të imponuara dhe të vetmit që do të shkojnë në votime do të jenë administrata dhe militantët e PS.
“Unë bëj pjesë në grupin parlamentar të PD me në krye zonjën Hajdari dhe kam votuar pro rezolutës së kuvendit për një arsye: Sepse mendoj si i gjithë grupi, që është një lojë luftash mes Ramës dhe Metës”, u shpreh zoti Jakimi.
Ai ka theksuar se është e nevojshme që të bëhet një marrëveshje transparente për ti dhënë zgjidhje krizës politike mes dy forcave të mëdha politike, PS-PD.
Sa i takon ditës së zgjedhjeve, deputeti Halil Jakimi tha se nuk duhet të ketë vëllavrasje, pasi qytetarët nuk duhet të vuajnë pasojat e krizës.
“Zonat e nxehta do të jenë kryesisht në zonat ku janë bashkitë e djathta dhe nuk i bëj askujt thirrje për të bllokuar procesin e votimit”, tha Jakimi.
Ndiqni intervistën e plotë në videon më poshtë