Për sociologun dhe analistin Ergys Mërtiri, zhvillimet politike në vend po krijojnë një perceptim se diçka po lëviz në shoqërinë tonë që deri dje etiketohej si e mefshtë. I pyetur në "KafeIN" nga moderatori Flavio Qarri, analisti Mërtiri tha se ky reaksion kimik që po ngjet në masën e mbështetësve të opozitës, dikur do të shpërthejë, duke aluduar kështu për një pranverë shqiptare, që po thuhet nën zë. Por sipas tij, nuk bëhet fjalë për përplasje civile. "Eshtë reaksion kimik që mund të ndodhë dhe gjërat të kthehen në boomerang. Populli thotë peri këputet duke u holluar dhe zullumi duke u trashur. Por ne e kemi vërtetuar si popull që nuk vritemi për interesat e politikës", u shpreh sociologu Mërtiri. I pyetur në lidhje me vendimin e opozitës për të braktisur Kuvendin, Mërtiri e cilësoi të drejtë. Sipas tij, kupa nuk është derdhur ende, por është aty për tu derdhur. Gjithashtu analisti Ergys Mërtiri ka fajësuar ndërkombëtarët si shkaktarë të situatës politike në Shqipëri, pasi janë ata që kanë çertifikuar zgjedhjet. "Më shumë se i Shqipërisë, është faji i Evropës që i çertifikon këta politikanë. Ata çertifikojnë zgjedhjet, mandatojnë këtë klasë politike dhe ne vuajmë pasojat",tha Mërtiri.