INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
KafeIN/Shkolla shqipe e Parmës: Më shumë ndihma didaktike nga Kosova sesa nga Shqipëria [VIDEO]

KafeIN/Shkolla shqipe e Parmës: Më shumë ndihma didaktike nga Kosova sesa nga Shqipëria [VIDEO]

Publikuar më: 11:02 07-03-2019

Në ditën e 7 Marsit, festës së mësuesve, diaspora ka bërë apel për më shumë mbështetje nga qeveria shqiptare për të ruajtur dhe zhvilluar gjuhën dhe kulturën shqiptare kudo në vendet ku jetojnë e punojnë shqiptarët.
Durim Lika, drejtor i shkollës shqipe "Scanderbeg" Parma në Itali, në emisionin "KafeIN" gjatë intervistës me moderatorin Flavio Qarri, tregon si kanë nisur punën vullnetare për mësimin e gjuhës shqipe në 2009 dhe si fillim nuk kanë marrë asnjë ndihmë madje dhe kurrikulat e shkollës janë përpiluar nga vetë mësuesit që kontribuojnë falas në këtë shkollë.
"Shumicën e programit e kemi bërë vetë, ndërsa në vitet e fundit u shtypën libra shqip enkas për shkollat shqipe në Diasporë", tha drejtori i shkollës shqipe "Scanderbeg Parma" Durim Lika.
Lika tha se nuk ka ende një libër zyrtar që ti shërbejë mësimit të gjuhës shqipe fëmijëve të diasporës dhe kemi përshtatur disa tekste tranzitore për këtë qëllim të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova.
"Janë 20 libra që gjenden dhe online dhe mund të them se ministria e Arsimit të Kosovës është më e përparuar se ajo e Shqipërisë sa i takon didaktikës", tha Lika.
Sipas tij, një kurrikul e përbashkët e këtyre dy ministrive për njehsimin e mësimit në diasporë pritet të zbatohet në shkollat shqipe e po ashtu është premtuar nga ministri i Diasporës Pandeli Majko hapja e një shtëpie botuese për shkollat shqipe të Diasporës.
Në fund të intervistës, drejtuesi i shkollës shqipe në Parma tha se me fondin që u shpenzua për samitin e Diasporës do të ishin mbuluar shpenzimet për librat për të cilat kanë nevojë shkollat e diasporës dhe do ishin hapur shumë shkolla të tjera.
Shkolla shqipe "Scanderbeg" Parma me moshë 10 vjeçare në Itali, ka rreth 40 nxënës dhe 10 mësues dhe numri i fëmijëve ka ardhur duke u rritur. Lëndët janë gjuha shqipe, letërisa shqipe, historia dhe gjeografia e trevave shqiptare, arti dhe piktura, muzika kostumet dhe traditat.
Paralel me këtë shkollë është edhe grupi i valleve të fëmijëve “ Mille Stelle” që drejtohet nga Forumi i Grave të Pavarura ku një pjesë e madhe e nxënësve janë edhe nxënës të shkollës sonë.

Article Logic
Execution time: 0.0034141540527344