Mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Misto Mame” në Tiranë prej një muaji kanë nisur aplikimin e projektit digjital “School me”, ku përmes internetit fëmijët mësojnë lëndë të ndryshme, apo koncepte të paqarta gjatë orës së mësimit.
Gjatë një interviste në emisionin ‘KafeIN” me moderatorin Flavio Qarri, mësuesja e historisë Anila Tabaku ka shpjeguar se ky projekt synon t’ja bëjë mësimin fëmijëve sa më tërheqës dhe të kuptueshëm.
Gjithashtu, mësuesja Tabaku tha se në këtë projekt rol të rëndësishëm kanë dhe prindërit.
“Prindërit nga shtëpia kanë mundësi të hapin mësimet, pasi çdo prind ka akses, përmes adresës që posedon nxënësi”, tha mësuesja Tabaku.
Në lidhje direkte me emisionin ishte dhe Migena Çika, prind i një nxënësi të shkollës 9-vjeçare “Misto Mame”.
Migena ka treguar përvojën e saj dhe është shprehur optimiste për mënyrën e nxënies së mësimit nga fëmija përmes “School me”.
“Shfrytëzimi i kohës së qëndrimit në internet nga fëmijët duke mësuar, është mënyra më e mirë që ata edhe të argëtohen duke mësuar. Paraqitja e videove ilustruese për temat e mësimit që shpjegohen në platformë shmangin mërzitjen që kap shpesh fëmijët gjatë studimit”, tha Migena për “KafeIN”.
“School me” po aplikohet në 35 shkolla 9 vjeçare në të gjithë vendin.