Ministria e Shëndetësisë ka mbështetur protestën e mjekëve të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë që u mbajt sot në ambientet e spitalit.
Në një lidhje telefonike në emisionin “KafeIN” me moderatorin Flavio Qarri, zv/ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli tha se dhuna ndaj bluzave të bardha duhet dënuar nga të gjithë qytetarët.
“Çdo formë dhune është e patolerueshme. Dhuna ndaj mjekëve duhet dënuar nga e gjithë shoqëria. Mjeku ka një mision fisnik për të shpëtuar jetë, ndaj dhuna ndaj tij është barbari”, tha zv/ministrja Rakacolli.
E pyetur nga moderatori Flavio Qarri, zv/ministrja Rakacolli tha se ministria e Shëndetësisë ka propozuar ashpërsimin e ndëshkimeve në kodin penal për dhunën ndaj bluzave të bardha.