INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kalon sitën e Vettingut gjyqtari i Gjykatës së Lartë. Ja pasuria që zotëron Ardian Dvorano

Kalon sitën e Vettingut gjyqtari i Gjykatës së Lartë. Ja pasuria që zotëron Ardian Dvorano

Publikuar më: 10:35 23-07-2018

Kalon ditën e sotme sitën e Vettingut, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorano, duke u bërë kështu dhe gjyqtari i 6 që i nënshtrohet reformës së drejtësisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përfaqësohet nga kryesuesi Roland Ilia dhe anëtarët Etleda Çiftja dhe Firdes Shuli.

Ardian Dvorani u emërua anëtar i Gjykatës së Lartë më 17 shkurt 2005. Më parë, ai ka qenë edhe kryetar i delegacionit shqiptar në GRECO si dhe anëtar i përhershëm i grupit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian për çështjet e drejtësisë dhe ato të punëve të brendshme.

Pas emërimit në Gjykatë të Lartë, Dvorani ka qenë kryetar i Komisionit të Përmirësimit të Vazhdueshëm Profesional të Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe nga nëntori 2005, edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.

Të dhënat e publikuara në lidhje me pasurinë deklarohet se Dvorani zotëronte një pasuri familjare prej 1.1 milionë lekësh në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij është rritur me 10 herë duke kapur vlerën e 11.8 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme të familjes Dvorani kapin vlerën e 3.2 milionë lekëve. Ai zotëron një apartament në Tiranë, ndërkohë që si ai dhe bashkëshortja kanë deklaruar pjesë takuese në apartamentet familjare të përfituara nga privatizimi. Familja Dvorani zotëron gjithashtu likujditete në bankë në vlerën e 5.9 milionë lekëve si dhe automjete në vlerën e 2.6 milionë lekëve.

Të ardhurat familjare të zotit Dvorani kapin vlerën e 57.6 milionë lekëve për vitet e deklarimit 2003-2017.

Të ardhurat ndahen në 38.8% nga paga e tij si gjyqtar, 42.5% nga të ardhurat e bashkëshortes, 6.9 % nga mësimdhënia dhe 11% janë klasifikuar si të ardhura nga burime të tjera.

Article Logic
Execution time: 0.0037479400634766