Boksierët Anthony Joshua dhe Alexandr Povetkin kanë zhvilluar sot takimin e parë “ballë për ballë” (face to face) në Nju Jork, por jo gjithçka ka shkuar ashtu si duhet për organizatorët. Në momentin që dy boksierët ishin ballë për ballë, në skenë është ngjitur një tjetër boksier i kësaj kategorie, Jarrell Miller, i cili ka nisur të debatojë me britanikun Joshua. Ky i fundit ka lënë Povetkin, ndaj të cilit do të duelojë më 22 shtator dhe i është vërsulur Miller, ku nuk kanë munguar fyerjet dhe kërcënimet.
“Njerëzit flasin për mua, më shohin që përballem me rivalët e sërish duan që të flas. Titujt unë i kam mbrojtur në ring, aty i pres të gjithë rivalët dhe nuk toleroj që të tilla gjëra të ndodhin jashtë ringut. Mbrojta pozicionin tim, kjo është ajo që bëjnë boksierët”, tha Joshua, i pamposhtur në ring. “Gjithnjë do të jetë dikush që do të më besdisë, por me një shkelm ata përfundojnë keq”, tha më tej boksieri britanik gjatë prezantimit të duelit me Povetkin, që do të zhvillohet në “Wembley” më 22 shtator.
E ndërkohë që ka marrë shumë reagime në këtë video nga fansat e tij, një koment i ka lënë edhe reperi i njohur shqiptar Noizy të cilit siç duket nuk i ka pëlqyer aspak veprimi I Millerit dhe i ka thënë Joshuas që duhet ta godiste me shuplakë mbrapsht.