Prapaskenat e largimit të Ahmatajt nga posti i trajnerit të Kamzës, duken të çuditshme. Ditën e sotme, me një njoftim të shkurtër në Facebook, klubi kamzali njoftoi ndërprerjen e kontratës me Ahmatajn, por sipas Supersport, ky i fundit u largua për festën pas mbijetesës.
Teksa i gjithë klubi po festonte mbijetesën, Ahmataj udhëtoi drejt Korçës bashkë me familjen e tij, për ditëlindjen e 39-të. Gjithçka për rastësi në mbrëmjen ku Skënderbeu po festonte titullin e tetë kampion.
Edhe këtu gjithçka normale, ashtu sikurse edhe ftesa e drejtuesve dhe lojtarëve të klubit korçar që Ahmataj t’i bashkohej për disa momente festës së tyre. Si një ish-lojtar me emër në Shqipëri, por edhe mik i një pjese të konsiderueshme të stafit dhe lojtarëve të korçarëve, Ahmataj nuk mund të refuzonte.
I takoi fituesit dhe i uroi për arritjen. Megjithatë, ky episod nuk është parë me sy të mirë nga drejtuesit e Kamzës. Fill pas kësaj ngjarjeje klubi njoftoi largimin e Ahmataj.
Klubi i Kamzës bën me dije, nëpërmjet një tjetër postimi në Facebook, se ka arritur akordin me një trajner të huaj, vetëm pak orë pasi deklaroi mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Ahmataj.