Së shpejti Kamza pritet të ketë një pamje ndryshe, me sheshin e ri dhe të pedonales. Pedonalja ka një sipërfaqe prej 5.936 metra katrorë, e cila shtrihet nga qendra e qytetit deri në kryqëzimin me rrugën ‘Londra.’
Sipas Bashkisë, ky projekt po sjell një pamje ndryshe për të gjithë qytetarët e Kamzës.
“Pedonalja, e cila po i jep një panoramë krejt ndryshe qytetit të Kamzës, do të sjellë përpara qytetarëve vizionin e Bashkisë jo vetëm thjesht për të ndryshuar pamjen, por ndryshimin e duhur në infrastrukturë, nëpërmjet këtij projekti me të gjithë parametrat e nevojshëm dhe bashkëkohorë.”
Ndërkohë, sa i takon sheshit të ri të qytetit, i cili po ndërtohet pranë Pallatit të Kulturës, do të ketë një sipërfaqe prej 3.936 metra katrorë, një investim që sipas Bashkisë përbën fazën e parë të ndryshimit të pamjes së qytetit. Punimet për transformimin e zonës së Kamzës janë inspektuar nga kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu.