INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kandidatët e pabindur të Bindjes Demokratike

Kandidatët e pabindur të Bindjes Demokratike

Publikuar më: 15:10 21-05-2019

Këtë të martë kandidati për Bashkinë Kavajë i Bindjes Demokratike, Bledar Sinella deklaroi tërheqjen nga gara, në një kohë që 30 qershori është shumë afër. 

Sinella në kërkesën dorëzuar KQZ për ç’regjistrim, thotë se në media e kishte marr vesh se ai ishte kandidat i siglës BIndja Demokratike, me kryetar Astrit Patozi, për Kavajën.
“Në media jam njohur me faktin se Bindja Demokratike e ka depozituar kandidaturën time në KQZ. Zgjedhjet janë të vërteta, kur ka garë reale. Rruga e duhur për Kavajën dhe Shqipërinë dhe jo zgjedhjet fasadë”, shprehet Sinella.
I pari që shprehu pendesë ishte kandidati për Skraparin, Dejvis Hebibasi. Ai nuk dha sqarime mbi tërheqjen, ndërsa anëtari i kësaj partie, Fabjan Topollaj tha se ai ishte “kërcënuar nga njerëz të qeverisë”.

Pas Hebibasit ishte kandidati i Lezhës që u largua nga gara, Salvador Kaçaj. Përmes një letre ai sqaronte se, disa rrethana dhe informacione gjatë këtyre ditëve “më kanë nxitur të rishikoj vendimin për të qenë kandidat në zgjedhjet e 30 Qershorit nën siglën e Bindjes Demokratike. Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim njëpartiak, të përzier me krimin. Deklaroj largimin nga Bindja Demokratike dhe tërheqjen time nga kandidimi për Bashkinë e Lezhës, duke iu bashkuar kauzës së Partisë Demokratike dhe opozitës për mbrojtjen e demokracisë deri në fitore", deklaronte ai.
Partia Bindja Demokratike, në afatin e fundit dorëzoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, një listë me 25 emra për garën e 30 qershorit. Në pak ditë janë tërhequr 3 kandidatë të saj. Pritet të shikohet nëse do të ketë të ‘pabindur’ të tjerë gjatë ditëve në vijim.

 

Article Logic
Execution time: 0.0033860206604004