Në familjen Kardashian duket se koha është vrenjtur dhe dielli i ka lënë vendin reve “të zeza”, që në fakt kanë ngjyrën jeshile të parasë.
Është raportuar se Kylie Jenner ka nënshkruar një kontratë të majme me shtatë shifra me gjigandin Puma. Dhe duket se kunati i saj Kanye West ka ndërmend që ta prishë këtë marrëveshje përpara se të thahet boja e firmës mbi letër. Producenti 38 vjeçar iu rikthye sërish Twitter për t’u zënë përsëri, vetëm se këtë herë nuk bëhej fjalë për Amber Rose apo Wiz Khalifa, por firmën sportive të veshjeve, Puma. Ai i sulmoi duke thënë se Kylie është në ekipin e Yeezy, për të cilën Kanye ka nënshkruar një kontratë me Adidas dhe përfshirja e motrës së vogël të Kim në një tjetër firmë sportive do t’i prishte punë. Ylli i hitit “Stronger” ka sulmuar Pumën duke thënë se do t’i rikthente “milionat e qelbur” mbrapsht, me justifikimin që ata nuk mund ta ndajnë familjen. Më mirë të themi, nuk mund të ndajnë Kanyen nga milionat e Adidas.