Prej mbrëmjes së të dielës, Policia e Janinës është vënë në ndjekje të 3 personave, të cilët transportonin armë, granata, municione dhe lëndë eksplozive në 3 thasë pranë Doganës së Qafë Botës në territorin grek.
Sapo patrulla e Policisë Kufitare ka lokalizuar grupin prej 3 personash, që po lëviznin në brendësi të zonës së Thesprotisë, të cilët dyshohen se janë shtetas shqiptarë, u ka bërë thirrje të ndalojnë, por ata kanë hedhur thasët që bartnin dhe janë larguar në drejtim të kufirit me Shqipërinë, duke përfituar nga terreni malor dhe errësira.
Kur kanë hapur thasët, forcat policore kanë gjetur 3 automaktikë të tipit kallashnikov me 7 karikatorë, 11 granata, 33 detonatorë, 5 pllaka të lëndës eksplozive TNT me peshë rreth 1 kg, si dhe 1.593 fishekë etj.
Armët janë konfiskuar dhe janë dërguar në Laboratorin e hetimeve të Kriminalistikës së Greqisë së Veriut për analiza të mëtejshme.
Drejtoria e Policisë së Janinës ka hapur një hetim për çështjen, ndërkohë që thuhet se janë informuar edhe organet shqiptare të Rendit.