Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka dalë ditën e sotme në konferencë për mediat, teksa konfirmoi se Mikel Shallari është vrasësi i ish komisarit Artan Cukut.
Sipas Policisë, tani nuk ka asnjë dyshim, Mikel Shallari ka shkelur këmbëzën. Policia nuk e di nëse ai është edhe ideatori, por po merret me zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Autori i kësaj ngjarje është Mikel Shallari, i lindur në Kuçovë dhe banues në qytet “Studenti”, tha Çako.
Mikel Shallari është kapur pranë “Pallatit me Shigjeta”, teksa lëvizte me makinë. Shoqërimi i tij ka ardhur pas urdhrit të Prokurorisë, pasi ADN e këtij personi është e njëjtë me ADN e bluzës që është gjetur pak metra larg vendit të ngjarjes që dyshohet të jetë e autorit që vrau ish komisarin Artan Cuku, më 8 prill, 2017
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako teksa konfimoi vrasësin e ish komisarit, Artan Cuku, është pyetur për akuzat që LSI ka drejtuar publikisht ndaj tij.
Çako në lidhje me këtë tha se mirëkuptonte çdo subjekt politik që në ethe dhe emocione shprehet në këtë mënyrë, ndërsa shtoi se Policia po bën detyrën e saj.
“Policia ka për të detyrë të bëjë punën e saj. Mirëkuptoj çdo subjekt që në emocionet dhe ethet e veta shprehet në këtë mënyrë”, tha Çako.