INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kapiteni Lorik Cana rrëfen aventurën kuqezi për FIFA-n

Kapiteni Lorik Cana rrëfen aventurën kuqezi për FIFA-n

Publikuar më: 20:19 27-04-2016

Kapiteni ynë Lorik Cana, gjatë një interviste për “FIFA.com”, rrëfen rrugëtimin e tij si person dhe si lojtar.

Rastësi–  Në 11 qershor Shqipëria do luajë kundër Zvicrës, pikërisht 13 vite më parë Lorik Cana e zhvilloi ndeshjen e tij të parë me Shqipërinë kundër kombëtares së njëjtë. Atëherë ndeshja u zhvillua në Gjenevë, vetëm 60 kilometra larg vendit ku ishte rritur. “Një rastësi e bukur,” thotë Cana, që e nis rrëfimin e tij me luftën në Kosovë dhe hapat e parë…

Lufta –“Unë vij nga Kosova. Në 1990 filluan luftërat e shpërbërjes së Jugosllavisë, ku bënte pjesë edhe Kosova. Ne u larguam sëbashku me familjen drejt Zvicrës. Shumë bashkëkombas të mi nga Kosova dhe Maqedonia gjetën strehim në Zvicër dhe Gjermani. Kam jetuar dhjetë vite në Zvicër, për t’u larguar më pas në Francë ku edhe kam mësuar nga akademia e PSG”

Trashëgimia –“Babai im ishte futbollist profesionist. Ai më ka mësuar gjithçka dhe ishte një tip fitimtari. Ai mi dhuroi vlerat, duke më mësuar që të mos dorëzohem asnjëherë.

Karriera– “Suksesi im fillon me aktivizimin e lojtarëve rezervë të PSG. Antua Kumbare ishte trajneri im. Ai më mësoi të tejkaloja pengesat psikologjike. Konflikti në vendin tim ishte drejt fundit, duke më motivuar më shumë. Në PSG ishte e vështirë të mbijetoje, por mësimet që mora atje më kanë ndjekur gjatë gjithë karrierës.

Vendi –“Dëshiroja çdoherë të përfaqësoja denjësisht Shqipërinë dhe shqiptarët. Kur isha 19 vjeçar më erdhi ftesa e shumëpritur. Tema e Kombëtares është shumë e rëndësishme për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve gjithashtu. Shumë lojtarë kanë lindur dhe rritur jashtë, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit na ka dhënë mundësi që të gjithë shqiptarët të mund të arrijmë diçka të bukur bashkë. Ky është themeli e punës sonë të përbashkët dhe suksesit të Euro 2016.

Kombëtarja – “Çdoherë kam ndërmjetësuar me bisedime që të vijnë të luajnë për Shqipërinë lojtarët më të mirë. Ne kemi shumë lojtarë cilësorë nga jashtë, që na solli edhe kualifikimin. Para tre ose katër viteve kjo ishte e pamundur. Sot kemi një kombëtare ku të gjithë shqiptarët ndjehen të përfaqësuar. Me sukseset tona, është rritur edhe presioni. Kombëtarja jonë u takon të gjithëve, që e kanë fituar dhe kanë kënaqësi, të jenë pjesë e saj.”

E ardhmja– “Ne jemi fiksuar me datën 11 qershor. Ndeshja e parë do jetë shumë e rëndësishme për ne. E ardhmja ime shkon deri këtu dhe jo më tej. Nuk kisha ëndërr më të madhe sesa kualifikimin e Shqipërisë në kompeticionet ndërkombëtare. Çfarë do ndodh pas Euro 2016 nuk mund ta them, sepse ka shumë lojtarë të rinj të cilët zhvillohen edhe më tej. Secili duhet të dijë kohën kur i vjen koha për ta lënë rrugën e lirë. Pas Euro 2016 do bisedoj me familjen dhe federatën për të sjellur një vendim. Shumë lojtarë shqiptarë janë 23 ose 24 vjeçarë dhe aktivë në ligat më të mira. Ata do përfaqësojnë mirë Shqipërinë edhe në kualifikimet e Rusi 2016. Kemi grup të vështirë kundër Italisë dhe Spanjës, por do jemi mbi mesataren dhe do luajmë për kualifikim. Do marr një vendim që është më i miri për mua dhe kombëtaren. Lojtarët e rinj duhet të arrijnë nivelin më të lartë, në të kundërt nuk duhet t’u japim shumë kohë. Do e analizojmë tamam. Kjo do vendoset pas Euro 2016 dhe pushimeve, sepse sezoni do jetë i gjatë. Në çdo rast unë do mbështes kombëtaren edhe më tej – nëse jo nga fusha, do jem jashtë saj.

Article Logic
Execution time: 0.0036969184875488