Kllounë, kërcimtarë dhe personazhe përrallash, pushtuan qendrën e Korçës mbrëmjen e së shtunës në ceremoninë tradicionale të karnavale e cila hap sezonin në qytetin juglindor.
Dhjetëra grupe të ardhur dhe nga shtete të tjera parakaluan në bulevardin e Korçës, ndërsa çdo njëri prej tyre prezantoi një fabul në sheshin para Katedrales.
Mes tyre ranë në sy edhe ballerina braziliane të cilat sillnin edhe atmosferën e karnavaleve të famshme braziliane.
Muzika klasike, kërcimet, ballot me maska apo dhe këngët tradicionale e romantike të serenatës korçare nuk munguan.
Qindra qytetarë ndoqën paradën e organizuar në këtë mënyrë për të njëmbëdhjetin vit në Korçë, ku sjell edhe traditën e vjetër qytetare që daton para viteve 40 të shekullit të kaluar.