Qindra anëtarë të ekipeve të shpëtimit po kërkojnë mes rrënojave në Kaliforninë e Jugut për ata që janë shpallur të humbur si pasojë e rrëshqitjeve të dheut që vranë 17 persona. 28 persona kanë mbetur të plagosur në Santa Barbara për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në zona që vetëm një muaj më parë po shkrumboheshin nga zjarret. Sipas autoriteteve lokale, më shumë se 100 shtëpi janë shkatëruar, ndërsa rreth 300 të tjera kanë pësuar dëme. Ekipet e emergjencave kanë kryer me dhjetëra operacione shpëtimi, por ende ka zona të izoluara ku ata nuk kanë mbërritur ende. Disa rrugë dhe autostrada janë mbyllur për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe nuk priten që të hapen deri javën e ardhshme. Shirat e dendur që pasuan thatësirën e madhe shndërruan faqe të tëra kodrash në lumenj balte që goditën me forcë komunitete të shumta.