INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Keqkuptimi i madh; përse Ermal Meta nuk i këndoi Shqipërisë [Video]

Publikuar më: 13:38 10-02-2017

Nga Ermal Peçi

Sa herë që artistët shqiptarë këndojnë në evente të mëdha ndërkombëtare,  euforia sociale dhe mediatike shqiptare bëhet aq e madhe, sa shpesh çdo përfaqësim individual artistik transformohet në një çështje kombëtare. 

Prezantimi dinjitoz i Ermal Metës në garën e Sanremos është shembulli i fundit, ku nga gjëndja e pashpresë e krijimtarisë muzikore shqiptare dhe tekstet e varfra e të pakuptimta, kërkojme në masë të  personalizojmë, madje dhe t’a kombtarizojmë një konkurim të një artisti të vërtetë.

Ermal Meta nuk përfaqëson Shqipërinë në Eurovision, as shqiptarët në Sanremo. Ermal Meta përfaqëson artin e tij, krijimtaria e tij është më e forte se kufijtë e një shteti, tekstet e tij të mbushura me përjetime personale jane alarme sociale për kedo që kupton artin e tij, shqiptar apo italian qoftë ky.

Me një interpretim drithërues, Meta ka risjelle në mbrëmjen e “cover”-ave këngën “Amara terra mia” kënduar nga Domenico Modugno në vitin 1971.  Nëse dikush vrapoi në rrjete sociale e portale ta përshkruajë këtë zgjedhje si një dedikim edhe për Shqipërine,  Ermal Meta flet më shumë për mediat italiane.  Për “RadioItalia” ai thekson se më këtë këngë shpresonte ti bënte homazh të gjithë atyre që largohen nga vendi i tyre, emigrantëve apo edhe atyre që humbasin shtëpitë,  siç ndodhi me banorët e Amatrice-s. Kjo këngë është për ata që luftojnë çdo ditë.

Edicioni i 67 i Sanremos mund të quhet pa frikë edicioni i Ermal Metës, jo vetëm për trofeun e parë të fituar, pasi vijon ende të jetë pretendent për çmimin e madh por mbi të gjitha për mesazhin e fortë që përçon me “Vietato morire” dhe individualitetin artistik që i dhuron muzikës italiane.

Article Logic
Execution time: 0.0035269260406494