Presidenti Ilir Meta së bashku me Kryetarin e Komisionit të Politikës me Jashtë në Kongresin Amerikan, Eliot Engel kanë qënë në Tropojë. Ata ishin ftuar në ceremoninë e vendosjes së emrit 'Kongresmeni Eliot Engel' rrugës Gjakovë-Qafë Morinë-Tropojë.
Po festa nuk u mbyll këtu, festë pa dallue në Tropojë nuk mund të ketë. Vetë Meta publikoi fotot ku shihet përkrah Engel teksa hedh valle.
Ai ka dhënë edhe një mesazh duke thënë se nuk ka forcë në botë që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro-amerikane. Hedh e ca kunja për mazhorancën.
'Shumë i lumtur të takoja sot në Tropojën fisnike, mikun e madh të kombit shqiptar, Kryetarin e Komisionit të Politikës me Jashtë në Kongresin Amerikan Z.Eliot Engel. Kënaqësi e veçantë të përuronim së bashku një nga rrugët që lidh Kosovën me Shqipërinë, që tashmë do mbajë emrin e tij, të gdhendur në zemrën e çdo shqiptari. Nuk ka forcë në botë, që të vendosë në diskutim aleancën shqiptaro-amerikane! Asnjë intrigë gjoja në emër të SHBA, nuk mund ta përçajë atë. Nga dritarja e zyrës së Tij në Uashington DC, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane shikohen gjithmonë qartë dhe pastër', shkruan Meta.