Një avion i kompanisë ajrore “EgypAir” ka bërë ulje të detyruar në Uzbekistan, pasi linja ajrore ka marrë një telefonatë dhe pretendohej se kishte një bombë në bord.
Avioni A-330-220, i cili po fluturonte nga Kajro drejt Kinës, u detyrua që të ulej në perëndim të Uzbekistanit.
Në bordi ishin 118 udhëtarë dhe 17 anëtarë të ekuipazhit, të cilët janë evakuuar në mënyrë të menjëhershme. Pas kësaj, janë bërë një sërë kontrollesh në avion, por nuk është gjetur asnjë bombë.
“Avioni po bëhet gati për të nisur fluturimin. Falë Zotit që ishte vetëm një rreng”, tha njëri prej zyrtarëve të kompanisë ajrore.
Sipas zyrtarëve egjiptianë, një person anonim telefonoi agjentët e sigurisë në aeroportin e Kajros dhe tha se një bombë ishte në bordin e fluturimit. Agjentët menjëherë telefonuan përgjegjësit e ekuipazhit dhe urdhëruan që avioni të ulej në aeroportin më të afërt.