Përmes një deklarate zyrtare në uebsajtin e saj, organi më i lartë futbollistik europian, UEFA ka bërë me dije se Inspektorët Disiplinorë që po hetojnë Skënderbeun për trukime ndeshjesh janë kërcënuar me jetë.
“Sot, Inspektorët Disiplinorë të UEFA-s që punojnë në këtë rast kanë marrë kërcënime anonime me jetë, me sa duket kanë për qëllim t’i trembin ata dhe t’i ndalojnë që të kryejnë punën e tyre. Këto kërcënime nuk do të kenë sukses dhe policia është njoftuar gjithashtu”, theksohet në deklaratën e UEFA-s.
Pasi UEFA doli me një deklaratë duke njoftuar ndër të tjera se dy inspektorët që kanë kryer hetimin për Skënderbeun, belgu Karl Dhont dhe spanjolli Migel Lietard Fernandez-Palasio janë kërcënuar me jetë nga persona anonimë ka reaguar dhe klubi i Skënderbeut. Me anë të një postimi në rrjetet sociale ata thonë se nuk kanë lidhje dhe se distancohen nga kjo ngjarje.
POSTIMI
Duke marrë shkas nga lajmi i publikuar së fundmi në portalin e UEFA-s, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ mohon kategorikisht dyshimet dhe akuzat se persona të lidhur me klubin kanë kërcënuar me jetë inspektorët e organizatës europiane të futbollit.
Një veprim i tillë është totalisht jashtë natyrës së qetë, qytetare dhe ‘Fair-Play’ të klubit tonë dhe drejtuesve më të lartë të ekipit.
Nësë ka pasur kërcënime atëherë KF Skënderbeu inkurajon organet përkatëse ti shkojnë deri në fund çështjes.
Përsa i përket shqetësimit të shfaqur nga UEFA në lidhje me publikimin e informacioneve dhe raporteve, Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ mohon të ketë shperndarë raportin duke njohur natyrën konfidenciale të tij.
Raportet e shfaqura në media kanë dalë nga zyrat e UEFA-s për media të caktuara sportive në Shqipëri.
Faleminderit për mirëkuptimin.
Zyra për shtyp
KF Skënderbeu