Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka reaguar pas sulmit terrorist së ndodhur ditën e sotme në një xhami në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, ku një person hyri brenda kultit fetar gjatë faljes së Xhumasë dhe qëlloi mbi besimtarët duke lënë të vdekur 49 prej tyre dhe duke plagosur dhjetra të tjerë.
Me anë të një postimi në faqen e saj zyrtare, Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë ka dënuar ashpër çdo lloj forme terrori që shfaqet kundër njerëzimit dhe humanizmit.
Deklarata e plotë:
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dënon me indinjatën më të thellë sulmin e fundit terrorist të ndodhur në qytetin Christchurch të Zelandës së Re, ku humbën jetën 49 besimtarë myslimanë, që po kryenin faljen në xhami dhe ku mbi 50 të tjerë mbeten të lënduar.
Ky akt barbar ndaj njerëzve të pafajshëm, tregon edhe një herë se terrori nuk ka fe, komb, ngjyrë e atdhe, por me mizorinë e tij godet këdo, kudo qoftë, jo vetëm në zona lufte e konflikti, por edhe aty ku mbizotëron paqja dhe mirëqenia, sepse terrori ka vetëm një qëllim, mbjelljen e urrejtjes dhe frikës ndaj tjetrit.
Ne dënojmë edhe një herë me forcë akte të tilla kriminale, që kanë lënduar çdo zemër humane kudo qoftë.
Lusim Zotin gjithashtu që paqja, harmonia, bashkëjetesa e mirëkuptimi të mbizotërojë kudo në botë. Zoti mos i dhëntë mundësi askujt të dalë mbi humanizmin, jetën që e jep veç Zoti dhe vlerat universale, aq të nevojshme në botën e sotme.
Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, shpreh gjithashtu solidaritet të plotë me të gjithë ata që vuajnë sot në luftëra dhe konflikte në vende të ndryshme të botës, duke iu ofruar atyre lutjet dhe afërsinë shpirtërore.
KNFSH i dërgon ngushëllimet më të sinqerta Zelandës së Re, familjarëve të viktimave dhe komunitetit të tyre, si dhe i uron shërim sa më të shpejtë të plagosurve gjatë këtij sulmi në Zelandën e Re.
Zoti e ndihmoftë dhe e udhëzoftë njerëzimin kah e mira! Amin