Ndërkohë që ende nuk kemi ndonjë fjalë për hapjen e sezonit turistik, dhe liridaljen, temperatura të larta do të na shoqërojnë gjatë gjithë muajit.
Meteorologia Adiola Bami tha se maksimalja parashikohet të shkojë 33-34 gradë Celsius, të cilat janë vlera më të larta sesa normalja për muajin që ndodhemi.
E marta do të sjellë sërish reshjet e shiut në disa pjesë të territorit, por ato do të zgjasin shumë pak pasi fund javës temperaturat do të shkojnë deri në 32 gradë Celsius.
“Kjo javë ka nisur me diell në të gjithë territorin. Mbetemi në kushte të qëndrueshme atmosferike deri në orët e pasdites ku në zonat malore do të shfaqen vranësirat. Por, nuk do të sjellin reshje ditën e sotme. Dita e martë do sjelle vranësira më të shpeshta në territor, sidomos në veri dhe veri-perëndim ku priten edhe reshje të pakta dhe izoluese. Por mesdita dhe orët vijuese do të sjellin kthjellim gradual. Për sa i përket erës do kemi forcim në det të hapur. Kjo javë krahasuar me javën e kaluar do të jetë më e qëndrueshme. Do të ketë më shumë diell në territor. Duke filluar që nga dita e mërkura e në vijim do të kemi temperatura më të larta se dita e sotme. Gjatë fundjavës temperaturat do të ngjiten mbi 32 gradë Celsius. Kryesisht në Jug-perëndim të vendit. Maji do të mbyllet me temperatura më të larta sesa vlerat normale. Parashikohet që vlerat maksimale do shkojnë në 33-34 gradë Celsius. Do të mbyllet një muaj i nxehtë. Vera ka filluar që në muajin maj. Temperaturat 32-33 gradë Celsius duhet të jenë gjatë muajit korrik dhe gusht, por ne po i përjetojmë që tani. Sot do të jenë temperaturat e larta. Maksimumi pritet që temperatura të shkoje rreth 30 gradë Celsius. Edhe dita e nesërme pavarësisht vranësirave do të jetë një ditë e ngrohtë”, tha meteorologia Adiola Bami.