INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Këtë vit jo më ''euro violetë'

Këtë vit jo më ''euro violetë'

Publikuar më: 16:45 01-01-2019

Vendet e Eurozonës nuk do të printojnë më kartëmonedhat 500-euroshe, apo prerjet në ngjyrë violetë që sipas autoriteteve janë mjeti më i përdorur nga kriminelët, teksa shumica e 19 vendeve që i janë bashkuar monedhës së përbashkët pritet ta zbatojnë nga muaji i ardhshëm.

“Më 27 janar të 2019-s, 17 nga 19 Bankat Qendrore kombëtare në zonën e Euros nuk do të lëshojnë më kartëmonedha 500-euroshe”, njoftoi Banka Qendrore Europiane në faqen e saj të internetit.
Gjithsesi, Austria dhe Gjermania do të vazhdojnë të printojnë kartëmonedha të tilla deri më 26 prill, “në mënyrë që të garantohet një tranzicion i lehtë, por edhe për shkaqe logjistike”, shkruhej më tej në njoftimin e BQE-së.
Kartëmonedhat 500-euroshe në qarkullim, gjithsesi do të mbeten të ligjshme dhe do të mund të përdoren për të kryer pagesa.
Banka Qendrore Europiane njoftoi në maj të vitit 2016 se do të ndalte së prodhuari kartëmonedhat 500-euroshe, duke thënë asokohe se pritej ta bëhet këtë gjë rreth fundit të vitit 2018, për shkak të “shqetësimeve se këto monedha lehtësojnë aktivitetet e paligjshme”.
Kartëmonedha me prerjen më të madhe të zonës së monedhës së përbashkët është një prej më të vlefshme në botë, së bashku me kartëmonedhën 1.000 franga zvicerane (1.017 USD apo 888 euro).
Për shkak të vlerës së lartë të saj dhe mbartshmërisë, ekspertët besojnë se kartëmonedhat 500-euroshe janë bërë të vyera për kriminelët që pastrojnë paratë apo edhe për financimin e terrorizmit, duke fituar kësisoj edhe pseudonimin “Bin Laden” në disa qarqe.
Sipas statistikave të BQE-së, kartëmonedhat 500-euroshe zënë rreth 2.4 për qind të të gjitha kartëmonedhave në qarkullim, por vetëm pak më shumë sesa 20% të vlerës në total.

Article Logic
Execution time: 0.0036859512329102