Miliarderët kinezë janë hedhur në sulm total në familjen Elkann-Agnelli, nipat e avokatit të famshëm Gianni Agnelli dhe vëllait të tij Umberto. Për momentin interesimi nuk është për klubin e Juventusit, por për FCA, kompania automobilistike që përfshin disa nga markat më të njohura në botë: FIAT, Alfa Romeo, Lancia, Maserati, FIAT Professional, Abarth, Jeep, Chrysler, Dodge, Ram Trucks, Mopar e SRT. Sipas Automotive News, tashmë kanë nisur bisedimet midis përfaqësuesve të kompanisë dhe një grupi investuesish kinezë.
Grupi në fjalë besohet të jetë Great Wall Motors, oferta e parë e të cilit është refuzuar si e pamjaftueshme.
Afari me kinezët mund të ketë ndikime të mëdha mbi klubin e futbollit, edhe pse kinezët, të paktën për momentin nuk interesohen për të, siç ka ndodhur me Milanin e Interin. Por Juve është e lidhur ngushtë me FCA, përveçse me kompaninë nënë Exor, dhe mbi bluza ka si sponsor markën e makinave Jeep. Nëse kompania automobilistike shitet, sigurisht që për Juventusin do të hapeshin skenarë krejtësisht të rinj.