Një organizatë spanjolle ka sjellë atë që mund të konsiderohet si një gjetje brilante.
Në përpjekje për t’u dhënë fëmijëve të abuzuar një rrugë të sigurtë për të kërkuar ndihmë, një organizatë spanjolle me emrin ANAR ka krijuar një reklamë shumë të veçantë. E vendosur në rrugë, ajo shfaq mesazhe të ndryshme për fëmijët dhe të ndryshëm për të rriturit. Kështu, një fëmijë që mund të jetë i shoqëruar nga personi që e abuzon ka mundësinë që të shohë mesazhin, i cili shfaqet ndryshe për sytë e tij dhe ndryshe për sytë e agresorit. ANAR ka zhvilluar këtë reklamë që ndryshon në varësi të këndit në të cilin shihet. Për fëmijët nën moshën 10 vjeç që shohin nga këndi i poshtëm, me gjatësi mesatarisht në një maksimum prej 135 cm, djali i shfaqur në foto duket i dhunuar me shenja në fytyrë dhe mesazhi që shfaqet i nxit që të thërrasin për ndihmë duke iu dhënë edhe një numër telefoni. Nga ana tjetër, për një person të rritur që e shikon nga këndi i sipërm në një gjatësi mesatare prej 175 cm, djali nuk duket i dhunuar dhe mesazhi i shfaqur i paralajmëron që të mos dhunojnë fëmijët. Një gjetje vërtetë brilante që të shpresojmë të jetë po aq efikase.