INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kjo zonë e Tiranës merr një tjetër pamje [FOTO]

Kjo zonë e Tiranës merr një tjetër pamje [FOTO]

Publikuar më: 11:20 11-05-2018

Hyrja verilindore e Tiranës ka marrë një tjetër pamje pas rikonstruksionit të plotë të Rrugës së Dibrës, e cila vjen edhe si një premtim i mbajtur nga Bashkia e Tiranës. Përveç rikonstruksionit, kjo rrugë kryesore e Tiranës ofron edhe korsi të dedikuar për biçikletat, si dhe një rehabilitim të fasadave të pallateve përgjatë saj. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se ky investim e ka transformuar plotësisht një nga arteriet kryesore rrugore të kryeqytetit.

“Rruga e Dibrës është një arterie kryesore e Tiranës dhe me ndërtimin e Rrugës së Arbrit nga qeveria, ajo do të jetë hyrja kryesore në verilindje të kryeqytetit. Ashtu siç kemi bërë një hyrje dinjitoze në Rr. “Dritan Hoxha” apo siç po fillojmë tani me rrugën e Kombinatiti, kjo është një tjetër hyrje e Tiranës e cila ka dalë në dritë dhe u jep mesazhin njerëzve se këtu ka një cilësi tjetër të të bërit të punëve, pastërti, higjienë dhe rregull”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai nënvizoi faktin se realizimi i këtij projekti ka mundësuar shtyrjen e mureve të Ministrisë së Mbrojtjes, duke zgjeruar trotuaret, çka i ka dhënë qytetit një tjetër segment me korsi të dedikuar për çiklistët. “Vendi ku jemi tani ka qenë një xhungël e madhe, ku njerëzit duhej të bënin kapërcim me pengesa afër mureve të Ministrisë së Mbrojtjes. Faleminderit ministrisë për bashkëpunimin, por faleminderit mijëra qytetarëve që kuptuan se civilizimi vjen kur secili kontribuon nga pak, ku secili liron trotuarin apo zbukuron fasadën. Pavarësisht se kemi pasur një sezon të jashtëzakonshëm me shira, kemi arritur ta mbyllim këtë në kohë rekord, edhe me korsi biçikletash. Gjatë gjithë kësaj vere do të promovojmë lëvizjen me biçikleta dhe besoj se kjo është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe Tiranën tonë”, shtoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se përfundimi i disa prej akseve kryesore rrugore në Tiranë i ka dhënë mundësi bashkisë që të ndërhyjë në çdo lagje të qytetit. “Tani që janë bërë akset akryesore, Rruga e Dibrës, segmenti nga Oxhaku te Farmacia 10, segmentet “Imer Ndregjoni”, “Kujtim Laro” që na lidh me Njësinë 3, segmenti që na lidh me Bregun e Lumit, riparimi i vetë Bregut të Lumit, shkolla e re “Ardian Klosi”, qendra sociale që hapëm me z. Flenckenstein, pra po krijohet një buqetë investimesh në gjithë akset kryesore dhe tani do të vijojmë me disa blloqe, që të stolisim çdo lagje në nivel kapilar, me kënde lojërash, lulishte, siç po bëjmë te Katrori dhe në disa prej njësive të tjera të Njësisë 4”, tha Veliaj.

Ai paralajmëroi se në pjesën e mbetur të mandatit, Bashkia e Tiranës do të punojë me të njëjtin ritëm për të përmbyllur fazën e emergjencës dhe gjendjes kaotike ku e gjeti kryeqytetin. “Do t’i japim një sprint këtë vit të fundit të mandatit tonë, për t’u siguruar që ky katërvjeçar mbuloi emergjencat kryesore për Tiranën dhe pastaj në mandatin tjetër do të vijojmë me më shumë fuqi dhe energji për Tiranën e ëndrrave tona”, deklaroi Veliaj.

Deputeti i PS, Sadri Abazi falenderoi Bashkinë e Tiranës për punën e bërë në Njësinë 4, duke mundësuar një transformim që para pak vitesh ishte i imagjinueshëm. “3 vite më parë bashkë me Erionin evidentuam gjithë problematikat që kishim në Njësinë 4 dhe nuk mendohej që kjo njësi të konsiderohej qytet dhe Tiranë. Pas 3 vitesh po shikojmë një ndryshim të madh falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës. E falenderojmë Bashkinë për punën e madhe që ka bërë në shërbim të qytetarëve të Njësisë 4”, tha Abazi.

Rruga e rikonstruktuar e “Dibrës”, e cila përfshin segmentin nga “Farmacia 10” deri te “Oxhaku”, është një ndër akset më kryesore të qytetit, duke përballuar një fluks të konsiderueshëm makinash, me dendësi të lartë banorësh dhe institucione të rëndësisë së lartë. Për zbatimin e këtij projekti, Bashkia e Tiranës zhvendosi murin e rrethues të Ministrisë së Mbrojtjes për të mundësuar krijimin e trotuarit në nivel me rrugën. Krahas punimeve në shtratin e rrugës, Bashkia e Tiranës punoi edhe për realizimin e projektit të rehabilitimit të fasadave të pallateve në godinat publike.

 

3.jpg2.jpg1.jpg5.jpg4.jpg

 

Article Logic
Execution time: 0.0047171115875244