INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kolegët tanë

Kolegët tanë "të dashur"... Ju prezantoj me Lëpirsindën!

Publikuar më: 13:31 24-05-2016

Nga Kelvi Kadilli

Në këtë shkrim do të njiheni ndër të tjera me disa personazhe fiktive. Ato quhen Brimjola dhe Lëpirsinda!  Brimjola ecën në korridor dhe i thotë koleges: “Zemraaa… Sa yll qenke bërë sot!” Kolegia ja kthen: “Uaaa fole ti miii…” Buzëqeshin të dyja dhe Brimjola sapo shkon në zyrë i thotë Lëpirsindës: “Uaaa e pe si ishte veshur ajo?” dhe qeshin të dyja me të madhe. Në të shumtën e rasteve Lëpirsinda nuk e kupton fare çfarë thotë Brimjola por mjafton t’ja bëjë qejfin dhe në darkë e mallkon atë dhe nuk i del inati që nuk është si Brimjola.  Ajo mendon se duke “lëpirë” gjithçka që “derdhet” mund të jetë e suksesshme një ditë dhe ëndrrat e saj do të realizohen. Ajo shpreson…

Me siguri ju të gjithë njihni një Brimjolë dhe një Lëpirsindë në ambjentet ku punoni dhe këto të dyja janë tepër të rrezikshme.  Brimjola nuk ka frikë të të sulmojë por Lëpirsinda është më e rrezikshme. Ajo është nga ato/ata që duken të urtë dhe nuk prishin qejf por që përbrenda janë një uragan negativiteti që presin me ngul të godasin. Dhe godasin jo për të arritur diçka, por thjesht për t’u ndjerë edhe ata/ato sikur kanë një jetë të tyren të mbushur me risi. Kini kujdes nga këto personazhe. Ata/ato shfaqen kur nuk e prisni…

Është interesante se si funksionon gjithnjë e njëjta formulë në çdo ambjent pune. E nisim nga pastrueset ose e thënë ndryshe “sanitaret”. Ato janë gjithnjë të zhurmshme dhe e mbrojnë punën e tyre me gjithë fuqinë që kanë.  Sanitaret janë personat që dinë gjithçka për gjithëkënd. Ato janë kudo në çdo kohë dhe veshët e tyre marrin informacione në kohë reale por kur vjen puna për thashetheme ato heshtin. Ndoshta ky pozicion pune nuk është më fitimprurësi por një gjë e di me siguri! Sanitaret kanë shumë më tepër karakter sesa shumë Brimjola apo Lëpirsinda… Ato shohin punën e tyre dhe mbi të gjitha janë të zgjuara pasi e kanë mirë muhabetin me të gjithë edhe pse në fund të ditës as nuk duan t’ja dinë  për asnjë!

Më pas janë nënpunësit e thjeshtë të cilët shpenzojnë pafundësisht kohë duke sharë shefat apo ata që janë më lart tyre. Sipas prototipit negativ të nënpunësit të thjeshtë të cilin ne sot do ta quajmë “Boljano”, askush nuk e meriton vendin e punës. Sipas Boljanos të gjithë janë të paaftë dhe ai/ajo është i/e vetmja që punon fort por askush nuk e vlerëson. Boljanot zakonisht janë njerëz mediokër që kanë një diapazon të menduari me gjatësi nga shtëpia e tyre e deri tek shitësja e lagjes. Ata janë të palumtur dhe lehtësisht të irritueshëm… Bëni kujdes nga Boljanot!

Në ambjentet e punës gjithashtu ka edhe njerëz shumë pozitivë të cilët e nxjerrin kokën shumë kohë pas fillimit të njohjes. Këta janë njerëz të cilët kanë ambicje dhe punojnë fort për qëllimet e tyre. Brimjola dhe Lëpirsinda i kanë shumë inat këta të fundit pasi këtyre nuk ju duhet të lëpijnë apo përdorin “emrin” për të arritur suksesin. Jam i sigurt që në vendet ku punoni keni pafund nga këta që unë përmenda por nëse keni gjetur qoftë edhe një person që ju motivon për të ecur përpara, atëherë jeni me fat.  Të gjithë personazhet fiktivë që unë përmenda, do të bëjnë gjithçka për t’ju bërë keq por në fund të ditës do tju përulen dhe do t’ju thonë: “Uaauuu… Bravo… dhe të kisha thënë!!!”  Ky është momenti kur ti buzëqesh dhe me hapin tënd galopant ecën drejt jetës me pozitivitet dhe me një fllad suksesi që të shoqëron ngado…  Ndërkohë Brimjola, Lëpirsinda dhe Boljano që deri dje nuk lanë të zezë pa thënë për ty, atëherë do të thonë:  “E kam patur shok të ngushtë…”

P.S Kelvi's Blog bëhet me shumë dashuri për motive argëtimi dhe vetëm kaq! 

Article Logic
Execution time: 0.0037708282470703