Komiteti Shqiptar i Helsinkit njofton se vëzhguesit e saj në qytetin e Vlorës kanë konstatuar fotografimin e fletës së votimit brenda dhomës së fshehtë. “Në Qarkun e Vlorës, në QV nr. 4510, ZAZ nr.82, vëzhgues të KShH-së konstatuan fotografimin e fletës së votimit brenda dhomës së fshehtë, ndërkohë që Komisioni i Qendrës së Votimit lejoi zgjedhësin të votojë”-deklaron KShH. Ky komitet është duke monitoruar me anë të 160 vëzhguesve afatshkurtër aspekte të rëndësishme që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e procesit të votimit, në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e RSH. Monitorimi po realizohet në 9 qarqe të vendit, përkatësisht në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Kukës, Korçë, Vlorë, Fier dhe Gjirokastër.