INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Ndotje e rëndë dhe shqetësuese e lumit Gjanicë, të merren masa [FOTO]

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: Ndotje e rëndë dhe shqetësuese e lumit Gjanicë, të merren masa [FOTO]

Publikuar më: 14:29 04-08-2017

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), më datë 3 Gusht 2017 realizoi një monitorim për të konstatuar në vend gjendjen e ndotjes së lumit Gjanicë, në Bashkitë Mallakastër dhe Fier.

Gjatë këtij monitorimi rezultoi se nga rafineria e përpunimit të naftës së kompanisë “Armo”, shkarkoheshin në mënyrë të lirë dhe krejt të papërpunuar, mbetjet nga procesi i përpunimit të naftës, të cilat derdheshin në lumin Gjanicë në pjesën që përshkron territorin në Bashkinë Mallakatër. Lumi Gjanicë ndotej edhe më shumë nga rrjedhjet e puseve të naftës së Albpetrolit. Kjo konstatohej në gjatësinë e këtij lumi. Kësaj ndotje i shtohej gjithashtu fakti se, në Gjanicë shkarkoheshin edhe ujrat e zeza të qytetit Mallakastër, konkretisht nga vendi i quajtur “Përroi i Dukasit” dhe “Përroi i Ballshit qytet”. Nga informacioni që na u dha nga Bashkia e Mallakastrës u mësua se ky institucion nuk kishte asnjë projekt për zgjidhjen e kësaj gjendjeje.

U monitoria gjithashtu edhe situata e ndotjes së lumit Gjanicë që përshkron territorin e Bashkisë Fier, ku rezultoi se ujrat e zeza të qytetit shkarkoheshin në këtë lumë, ndërsa shpesh në shtratin e tij hidheshin mbeturina urbane. Këtë gjendje e rëndonin edhe më tepër ndërtimet që ishin bërë pa asnjë kriter në shtratin e këtij lumi.

Në takimin që patën me një numër të konsiderueshëm banorësh të bashkive të mësipërme  u komunikua se, me gjithë ankesat e vazhdueshme që herë pas herë ata kishin paraqitur, institucionet shtetërore përgjegjëse, në nivel qendror e vendor nuk ishte marrë asnjë masë efektive. Ata vazhdonin të ishin të shqetësuar për ndotjen e ajrit, ujit dhe mjedisit, gjë që ndikonte negativisht edhe në shëndetin e tyre.

KShH për gjendjen e konstatuar në vend bën apel për marrjen urgjente të masave përkatëse. Është evidente se në këto rrethana vazhdojnë të shkelen disa dispozita ligjore siç janë nenet 56 dhe 59, pika 1, shkronja “d”, të Kushtetutës sonë, neni 26 i Ligjit nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen vendore”, nenet 16, 17 dhe 18 të Ligjit nr. 10/431, dt 9.06.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit” si dhe nenet 201 dhe 203 të Kodit Penal. Në këto kushte e shikojmë të nevojshme t’i sugjerojmë Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të forcojnë kontrollin dhe llogarinë ndaj inspektoriateve përkatëse, me synim zbatimin rigoroz të ligjit.

Duke patur parasysh gjendjen e mësipërme që shkon drejt keqësimit, vlerësohet se është i justifikueshëm edhe sugjerimi për Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për fillimin me iniciativën e vet të ndjekjes penale.

20621147_1224737884316406_3708057767214621393_n.jpg

 

20525716_1224737967649731_3698609130396891758_n.jpg

20525692_1224738024316392_8578358475113446163_n.jpg

 

20597291_1224737457649782_735699486469911751_n.jpg

 

Article Logic
Execution time: 0.003450870513916