INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Koncesionari i aeroportit përgjigjet ndaj Sandër Lleshajt: ‘’Akuza të rënda dhe të pasakta’’

Koncesionari i aeroportit përgjigjet ndaj Sandër Lleshajt: ‘’Akuza të rënda dhe të pasakta’’

Publikuar më: 18:41 10-04-2019

Kompania kineze TIA, që ka marrë përsipër të ruajë sigurinë e Aeroportit të Rinasit, ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili tha se nuk kishte njoftuar në kohë policinë.

Sipas TIA-s, ata i kanë vënë në dispozicion Policisë së Shtetit kamerat e sigurisë dhe kanë raportuar për ngjarjen në kohë.

“Reagimi ynë vjen pas deklaratës së ministrit të Brendshëm. Ne si kompani kemi vënë në dispozicion të hetimeve kamerat e sigurisë. Njoftimi kundrejt policisë në Rinas është bërë në kohë”, thuhet në njoftimin e TIA-s.

Deklarata e plotë:

Tirana International Airport (TIA) shpreh keqardhjen e thellë për ngjarjen e djeshme të 9 Prillit 2019, me pasojë vjedhjen e një sasie të vlerave monetare në pistën e aeroportit.
TIA kishte vendosur të respektonte hetimet nga autoritetet përkatëse dhe në respekt të këtyre hetimeve, nuk u prononcua deri më tani, duke patur parasysh ndjeshmërinë e ngjarjes dhe çështjen e sigurisë së jetës të pasagjerëve, stafit dhe të gjithë punonjësve të shtetit shqiptar që operojnë në aeroport.

Por, pasi ndoqëm me shqetësim deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme, duket se etika e TIA-s ka shërbyer për herë të dytë për një keqinformim të publikut dhe fajësimin – si skenar i përsëritur – për një akuzë të rëndë që nuk qëndron në shpatullat e një koncesionari të huaj, pa mënjanuar kërkesat e Kontratës së Koncesionit që TIA përmbush çdo ditë në lidhje me sigurinë aeroportuale.
Tirana International Airport duke vlerësuar transparencën e informacionit për publikun dëshiron të informojë se ka vënë në dispozicion të organeve kompetente, të gjitha materialet dhe regjistrimet e kamerave të sigurisë që hedhin dritë mbi ngjarjen e 9 Prillit 2019.

TIA ka qenë korrekte në përmbushjen e detyrave të saj në lidhje me ngjarjen sipas të gjitha rregullave dhe procedurave. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë, se ky njoftim është kryer në kohë kundrejt sallës operative të policisë në Rinas.

TIA në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, gjatë këtyre tre viteve nga ngjarja e ngjashme në aeroport në 2016, ka marrë masa shtesë dhe ka ngritur në një nivel më lart sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues.

TIA është pjesë e auditimeve periodike qoftë nga Autoriteti i Aviacionit Civil, qoftë nga palët e treta. Bëjmë thirrje dhe lutemi për vëmendje të kuptojmë të gjithë, se forcat e policisë janë të pranishme në çdo cep të aeroportit si objekt i rëndësisë së veçantë, si zonë kufitare dhe policia e ka detyrë ligjore, për të ruajtur rendin dhe jetën e qytetarëve në rast incidenti të armatosur.
Bashkohemi tërësisht me meritat që kanë forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë në operacionin e djeshëm, zanafilla e të cilit ishte njoftimi i TIA-s.

TIA bën thirrje për trajtimin e kujdesshëm të informacioneve që jepen për publikim kur lidhen me çështje të sigurisë, sepse do përbëhej një rrezik shtesë për çdo rrethanë.
TIA vlerëson me respekt hetimet, çdo qytetar, çdo punonjës policie dhe dëshiron të theksojë, se kur cënohet siguria dhe jeta e një qytetari, jemi të gjithë në të njëjtin krah.

Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve. Eshtë pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi. Ndaj deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme e vlerësojmë si të pasaktë.

Rikthesojmë se në zbatim të përgjegjësive dhe detyrimeve të Kontratës së Koncesionit, dhe në bazë të Programit Kombëtar të Sigurisë të Aviacionit Civil, TIA ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë.

Tirana International Airport mbetet në dispozicion të pasagjerëve dhe opinionit publik për informacione të mëtejshme.

 

Article Logic
Execution time: 0.0039618015289307