INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kongresi rrëzon Obamën për ligjin e 11 shtatorit, Presidenti: Një gabim i madh

Kongresi rrëzon Obamën për ligjin e 11 shtatorit, Presidenti: Një gabim i madh

Publikuar më: 10:13 29-09-2016

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, deklaroi se Kongresi ka bërë një “gabim” kur rrëzoi veton e tij mbi ligjin që lejon veprime gjyqësore kundër Arabisë Saudite, për shkak të sulmeve të 11 shtatorit.

Ndonëse inteligjenca e SHBA-së ka ngritur dyshime për disa lidhje të rrëmbyesve, ajo nuk ka arritur të dëshmojë se zyrtarët sauditë kanë siguruar mbështetje financiare për të dyshuarit.

“Shqetësimi im nuk ka të bëjë me Arabinë Saudite”, tha presidenti Obama, duke folur për televizionin CNN.

Ai tha se ligji mund të ekspozojë kompanitë amerikane, trupat dhe zyrtarët përballë padive të mundshme jashtë shtetit. “Unë nuk dua që të arrijmë në një situatë, ku për shkak të punës që bëjmë nëpër botë, të bëhemi subjekt i padive private”, tha presidenti amerikan.

Obama tha se ligji vendos një “precedent të rrezikshëm” për individët në të gjithë botën që të padisin Qeverinë amerikane.

Kongresi, të mërkurën, rrëzoi për herë të parë fuqinë e vetos së Obamës. Legjislacioni, i njohur si Drejtësi kundër Sponsorëve të Terrorizmit, hap rrugën për familjet e viktimave që të padisin çdo anëtar të Qeverisë saudite, të dyshuar për rol në sulmet e 11 shtatorit.

Pesëmbëdhjetë nga 19 rrëmbyesit e avionëve më 11 shtator, 2001, kanë qenë shtetas sauditë, por Arabia Saudite, aleat i rëndësishëm i SHBA-së, ka mohuar çdo rol në sulmet, që i morën jetën rreth 3.000 personave.

Drejtori i CIA-s, John Brennan, tha po ashtu se ligji sjell “pasoja të rënda” për sigurinë kombëtare”. Senati ka votuar me 97 vota kundër vetos së Obamës dhe me vetëm një votë pro. Në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkaq, 348 vota kanë qenë kundër dhe 77 pro.
Me këtë votim, propozimi është bërë ligj. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se votimi ka qenë “gjëja më e turpshme që ka bërë Senati i Shteteve të Bashkuara në disa dekada”.

Por, mbështetësit e ligjit thonë se ai mund të zbatohet vetëm për aktet e terrorizmit që kanë ndodhur brenda tokës amerikane dhe kritikojnë prioritetin që u jep Obama marrëdhënieve me Arabinë Saudite.

 

 

Article Logic
Execution time: 0.0035650730133057