Konsumimi i ushqimit organik, pa pesticide mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit deri në 86 për qind, thotë një studim i ri. Ndikimi më i madh u pa në uljen e rrezikut të prekjes nga limfoma jo-Hodgkin (kancer gjaku) tek ata që shmangën produktet me kimikate, sipas studimit ku morën pjesë rreth 70.000 të rritur francezë. Në përgjithësi, konsumatorët organikë kishin 25 për qind më pak gjasa për të zhvilluar ndonjë kancer dhe rreziqet e tyre për kancerin e lëkurës dhe të gjirit ranë me një të tretën. Studiuesit gjetën se përfitimi shëndetësor ishte shumë më i madh tek njerëzit e shëndoshë. "Rezultatet tona tregojnë se konsumi i lartë i ushqimit organik lidhet me një reduktim të rrezikut të kancerit të përgjithshëm", tha autorja kryesore e studimit, Julia Baudry e Qendrës së Kërkimeve në Epidemiologjinë dhe Statistikat në Sorbonë, Paris. Ajo shpjegoi se gjatë studimit u vërejtën rreziqe të reduktuara për lloje specifike të kancerit, si kanceri i gjirit i postmenopauzës, limfoma jo-Hodgkin dhe të gjitha limfomatet - tek individët me frekuencë më të lartë të konsumit të ushqimit organik. Sipas saj promovimi i konsumit të ushqimit organik në popullatën e përgjithshme mund të jetë një strategji parandaluese kundër kancerit. Standardet e ushqimit organik nuk lejojnë përdorimin e plehrave sintetike, pesticideve dhe organizmave të modifikuar gjenetikisht dhe kufizojnë përdorimin e medikamenteve veterinare. Edhe raporti i Autoritetit Evropian të Sigurisë Ushqimore zbuloi se pothuajse gjysma (44 për qind) e ushqimit standard përmban një ose më shumë kimikate, krahasuar me vetëm 6.5 për qind të ushqimit organik.