Koreja e Veriut ka testuar dy raketa balistike në bregun e saj lindor. Lajmi bëhet i ditur nga zyrtarë të Koresë së Jugut. Lëshimi i raketës së parë u konsiderua si dështim, pasi udhëtoi rreth 150 kilometra përpara se të përfundonte në det.
E dyta, e cila u lëshua disa orë më vonë, fluturoi rreth 400 kilometra. Zyrtarë në Jug thanë se bëhej fjalë për dy raketa me rreze mesatare, Musudan.
Një test i suksesshëm, i konfirmuar, do të shënonte një hap përpara për Korenë e Veriut, shkruan BBC, pas 4 provave të dështuara gjatë muajve të fundit.
Koreja e Veriut, që po zhvillon armë bërthamore, e ka të ndaluar nga rezoluta e Kombeve të Bashkuara që të përdorë çfarëdolloj teknologjie të raketave balistike.
Ndërkohë, zyra presidenciale e Koresë së Jugut njoftoi mbajtjen e një mbledhjeje kombëtare mbi sigurinë për të diskutuar rreth lëshimit të raketave.