Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë. Sot qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, festojnë 11-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Në kuadër të kësaj dite për në shtatë qendra të Kosovës është nisur Deklarata e Pavarësisë.
Një e tillë është vendosur edhe në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë. Nisja e Deklaratës së Pavarësisë në qendrat e Kosovës u bë nga Garda Ceremoniale. Deklarata e Pavarësisë është nisur për në qytetin e Mitrovicës, Gjakovës, Prizrenit, Gjilanit, Pejës dhe Ferizajt.
Me rastin e 11-vjetorit te Pavarësisë, institucionet e vendit kanë organizuar aktivitete të ndryshme.
Por, ky do të jetë përvjetori i parë në të cilin do të parakalojë ushtria e Kosovës në sheshin kryesor të Prishtinës.
Do të mbahet një seance solemne e Kuvendit të Kosovës, drejtuesit e shtetit do të bëjnë homazhe të varrezat e të rënëve për liri si dhe do të mbahet pritja shtetërore e pavarësise e organizuar nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.