INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Kosovë, dështon edhe vazhdimi i gjashtë i konstituimit të Kuvendit [VIDEO]

Publikuar më: 16:21 24-08-2017

Kryesuesi i Kuvendit Adem Mikullovci ka përmbyllur vazhdimin e gjashtë të seancës konstituive, pasi koalicioni PAN ka pranuar se nuk i ka votat e mjaftueshme për votim të kryeparlamentar.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se PAN e ka kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, por nuk e ka shumicën, njofton REL. “Në  këto javët e fundit nuk e kemi pasur shumicën prej 61 votave për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit”, tha Hoxhaj.

Në mungesë të një marrëveshje me ndonjë parti politike, subjekti fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, koalicionit PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma ka paralajmëruar sërish se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit kërkon kohë.

Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e tij, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Koalicionit PAN do t’i nevojiten të paktën 61 vota të deputetëve për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit, vota të cilat deri në këtë fazë, nuk arriti t’i sigurojë.

Në një situatë të tillë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti doli me dy propozime. Së pari ai i propozoi për PAN-it, duke i kërkuar që ta ndërroj kandidatin për kryetar dhe në vend të Kadri Veselit të dalë me një kandidat tjetër, i cili sipas tij, do të mund të siguronte mbi 61 vota.

Dhe, së dyti, Kurti tha se nëse PAN nuk propozon kandidat, atëherë grupet tjera parlamentare duhet ta bëjnë këtë. Në këtë frymë, Kurti tha se “i shtrinë dorën e bashkëpunimit koalicionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa”, për formimin e institucioneve.

Article Logic
Execution time: 0.0026440620422363